Shpërndarja e pakove ushqimore dhe higjienike në kohë fushate - Komuna e Gjilanit anulon Konferencën për media

Komuna e Gjilanit ka anuluar Konferencën e thirrur për media, për të dhënë sqarime lidhur me dhënien e pakove ushqimore për familjet në nevojë në kohë të fushatës zgjedhore.

Anulimin e kësaj Konference e ka konfirmuar Besim Toska, zyrtar për Informim në Komunën e Gjilanit, e cila udhëhiqet nga Alban Hyseni i Lëvizjes Vetëvendosje.

“Një herë për një herë nuk po mbahet për sot.” – deklaroi ai, e pastaj kur u pyet se cili ka qenë arsyetimi i anulimit të Konferencës u përgjigj me “Nuk e di”.

KALLXO.com ka raportuar të mërkurën e 15.01.2025 se kjo Komunë shpërndau pako ushqimore dhe higjienike për 500 familje.

Këto ndihma janë ndarë në kohë të fushatës zgjedhore për Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, që do të mbahen më 9 shkurt 2025. Fushata ka filluar zyrtarisht më 11.01.2025.

Se këto ndihma janë ndarë në kohë fushate, më 15.01.2025, e ka konfirmuar edhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shëndetësisë të Komunës së Gjilanit, Hekuran Rapuca.

Ai tha se aktiviteti ka qenë i organizuar nga vetë Komuna, për t’u dalë në ndihmë familjeve, të cilat janë përfituese të asistencës sociale.

Sipas Rapucës, shpërndarja e ndihmave nga Komuna e Gjilanit për familjet nevojtare nuk është bërë për shkak të fushatës zgjedhore – duke mohuar se një organizim i tillë ka pasur qëllime politike.

“Jo vetëm miell, faktikisht kanë qenë pako ushqimore dhe higjienike. Është organizim i njëjtë që mbahet për tri vjet me radhë. Unë veç pashë në disa shkrime, që ka marrë konotacion tjetër. Komuna është siguru që në secilin prej viteve prej që jemi në qeverisje, me shpërnda pako të tilla, edhe duke e ditë që janari e shkurti janë ndoshta muajt më të dobët financiarisht te secili. E kemi planifiku në këtë kohë, nuk ka të bëjë me fushatën kjo.” – ka deklaruar Rapuca.

Në kohë fushate, Komuna e Gjilanit shpërndan ndihma – pako ushqimore e higjienike

Në një postim në Facebook, Rapuca ka thënë se është e pavërtetë që ndihmat janë ndarë për qëllime politike.

“Sqarojmë se as Kryetari i Komunës dhe asnjë figurë tjetër që mund të jetë pjesë e garës politike nuk ka qenë pjesë e këtij aktiviteti. Këto ndihma janë shpërndarë nga Komuna e Gjilanit dhe jo nga VETËVENDOSJE!.” – ka shkruar ai.