Foto: KALLXO.com
Shpërndahen qytetarët që protestonin para Gjykatës së Mitrovicës
Qytetarët që protestuan sot gjatë ditës para Gjykatës së Mitrovicës, duke kërkuar lirimin e 4 të arrestuarve nën dyshimin për sulm ndaj zyrtarëve policorë në Mitrovicën e Veriut, janë shpërndarë në orët e mbrëmjes.
Protestuesit u shpërndanë pasi morën vesh që Gjykata para të cilës ata protestonin caktoi masën e arrestit shtëpiak ndaj të dyshuarve.
Lajmi për caktimin e masës së arrestit shtëpiak është konfirmuar nga avokati Shyqyri Syla.
Sipas avokatit, Prokuroria kishte kërkuar masën e paraburgimit ndaj të dyshuarve.
“Gjyqtari i procedurës paraprake në seancën dëgjimore e refuzoi kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e paraburgimit dhe ua caktoi masën e arrestit shtëpiak” – tha avokati.
Që nga ora 10:00 e paraditës një grup qytetarësh të komunitetit serb kanë protestuar te hyrja e Gjykatës, duke kërkuar lirimin e personave të ndaluar.