Shpërndahen 170 kontejnerë në Zhabar të Ulët të Mitrovicës

Drejtoria për Mbrojtjen e Mjedisit në Komunën e Mitrovicës ka bërë shpërndarjen e rreth 170 kontejnerëve me kapacitet 120 litra, për ekonomi familjare në Zhabar të Ulët të Mitrovicës.

Sipas një njoftimi të komunës, drejtori për Mbrojtje të Mjedisit, Asllan Isufi, është shprehur i kënaqur me realizimin e projekteve në të mirë të qytetarëve.

Mes tjerash, ai citohet të ketë theksuar se këto projekte të cilat po implementohen në teren, janë në kuadër të zbatimit të planit komunal për menaxhim të mbeturinave.

“Kjo drejtori, ditë më parë ka përmbyllur me sukses procesin e ndarjes së rreth 600 kontejnerëve, me kapacitet 240 litra dhe 350 kontejnerëve me kapacitet 120 litra në lagjet dhe fshatrat e qytetit të Mitrovicës”, thuhet në njoftimin e komunës.

Megjithatë, menaxhimi i mbeturinave dhe ndotja e ambientit, mbeten sfidë për shumë komuna të Kosovës.