Shpenzoi 452 euro nga buxheti i komunës në mish e raki, reagon Sokol Haliti

Zyra e kryetarit të Komunës së Vitisë, Sokol Haliti ka reaguar pas shkrimit të KALLXO.com në lidhje me shpenzimet për një drekë zyrtare me Ministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi me vlerë prej 452 euro, në kohë pandemie.

KALLXO.com ka publikuar të enjten artikullin për shpenzimet e Komunës së Vitisë në mish e raki gjatë kohës së pandemisë, në një drekë të përbashkët me ministres e Kulturës.

Komuna e Vitisë në reagimin e saj thotë se në këtë drekë kanë marrë pjesë 36 persona, përfshi kabinetin e ministres Dumoshi, kabineti i zëvendësministres së MAPL-së, policë, gazetarë, klerikë fetar katolik, e të tjerë.

Komuna ka reaguar se redaksia e KALLXO.com nuk ka pritur për të marrë përgjigje.

KALLXO.com ka pasur në dispozicion faturat e Komunës së Vitisë, të nënshkruara nga kryetari i Komunës dhe të njëjtat i ka publikuar.

KALLXO.com në pyetjet drejtuar zyrës së kryetarit ka kërkuar të dijë pse janë shpenzuar para në alkool, pse është shpenzuar kaq shumë në një drekë dhe çfarë lloj vizite ka qenë.

Në reagimin e sotëm të zyrës së kryetarit nuk jepen këto përgjigje.

Lexoni reagimin e plotë të Komunës së Vitisë”

SQARIM OPINIONIT PUBLIK LIDHUR ME SHKRIMIN E GAZETARES, ARTA SOPI ME TITULLIN  ”NË MES TË PANDEMISË, KRYETARI I VITISË DHE VLORA DUMOSHI SHPENZUAN MBI 450 EURO NË RAKI E MISH” NË KALLXO.COM

Me qëllim të informimit të drejtë të qytetarëve të komunës së Vitisë dhe opinionit të gjerë, Zyra e Kryetarit të Komunës së Vitisë, dëshiron të ju njoftoj rreth shkrimit të  gazetares, Arta Sopi me titullin  ”Në mes të pandemisë, kryetari i Vitisë dhe Vlora Dumoshi shpenzuan mbi 450 euro në raki e mish”, të publikuar në portalit informative Kallxo.com

Ju njoftojmë se ky shpenzim nuk është bërë vetëm nga Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti e as jo nga Ministrja për Kulturë, Rini dhe Sport, znj. Vlora Dumoshi siç pretendohet në rend të parë në këtë titull tendencioz që aspak nuk paraqet të vërteten e shpenzimit në këtë drekë zyrtare, ku në fakt  kanë marrë pjesë 36 persona. Në këtë drekë zyrtare kanë marrë pjesë kabineti i Ministrisë së MKRS-së, kabineti i zëvendës ministres së MAPL-së, përfaqësues nga klerit fetar katolik, këshilli i fshatit Stubëll e Epërme, përfaqësues i shkollës Dom Mikel Tarabulluzi, gazetarë, policë, stafi mbështetës i ministres dhe zv. ministres, përfaqësues të sektorit të kulturës në Viti dhe të tjerë. Dëshirojmë të ju njoftojmë se gjatë këtij viti Kryetari Haliti dhe Kabineti i tij kanë qenë të përkushtuar të bëjnë shpenzime minimale. Prandaj as nuk kanë shfrytëzuar të drejtën e “Paid Cash”. 

Komuna e Vitisë dhe Kryetari Haliti, nuk kanë fshehur asgjë lidhur me këtë shpenzim të drekës zyrtare i cili është siguruar nga një këshilltare e Lëvizje Vetëvendosje përmes ligjit për Qasje në Dokumentet Publike. Mandej kryetari i komunës së Vitisë,  ju ka lejuar atyre qasje në këtë faturë dhe të dokumenteve përcjellëse përmes një vendimi të posaçëm duke kërkuar nga zyrtari për shqyrtimin e kërkesave për qasje në dokumente publike që kjo faturë të ju përcjellët kërkuesit. Në këtë aspekt komuna e Vitisë është treguar transparente dhe në këtë formë kemi vepruar vazhdimisht edhe me kërkesat e vazhdueshme që kemi pasur edhe nga portali i Kallxo.com për shpenzimet e drekave zyrtare të zyrtarëve të komunës sonë.

Me qëllim të informimit të drejtë të qytetarëve tanë ju njoftojmë se Ministrja Dumoshi ka qenë në takim me delegacionin e saj në Viti, për të parë nga afër punimet e shumta që po zhvilloheshin në ndërtimin e palestrës së sporteve dhe dy stadiumeve në këtë komunë. Gjithashtu ajo ka vizituar edhe shkollën e pare shqipe në Stubëll të Epërme të Vitisë ku më parë kjo ministri ka investuar në restaurimin e tij për shkak të rëndësisë së veçantë që ka ajo për vendin në përgjithësi. Në atë ditë është nënshkruar memorandumi për vazhdimin e Renovimit të Shtëpisë së Kulturës në Viti.

Komuna e Vitisë ka qenë dhe mbetet e përkushtuar të jetë transparente në shpenzimin e parasë publike duke lejuar qasje kërkesave të parashtruara nga subjektet e ndryshme si dhe nga qytetarët. Për shkak të transparencës së komunës sonë ne jemi vlerësuar në Top Komunat dhe si rezultat i Transparencës së lartë jemi përfitues të grandeve të ndryshme si dhe përfitues në projektet e organizatave kredibile ndërkombëtare që veprojnë në Republikën e Kosovës.

Është për keqardhje që gazetarja në fjalë ka dërguar e-malin me pyetjen rreth shpenzimit të kësaj drekës zyrtare dhe atë gjatë kohës së pauzës, në fakt në ora 12:44 dhe nuk ka pritur sqarimin nga komuna e Vitisë, por ka bërë publike lajmin e njëanshëm qysh në ora 14:09 në portalin Kallxo.com e cila mund edhe të vërtetohet.

Sinqerisht

Kabineti i Kryetarit të Komunës së Vitisë