Pamje nga Pavijoni i Kosovës në Bienalen e Venedikut (2017). Kortezi: Pavijoni i Kosovës në Bienalen e Venedikut/ Foto: Armend Nimani

Shpenzimi i parregullt i 7,144 eurove nga Ministria e Mjedisit

Një shpenzim të parregullt e ka gjetur Auditori në ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Kjo ministri, në kundërshtim udhëzimin administrativ për udhëtime zyrtare i ka mbuluar shpenzimet e 14 personave që nuk kanë qenë pjesë e ministrisë në udhëtimin e bërë për të marrë pjesë në Bienalen e Venedikut.

“Nga testimet tona kemi vërejtur se me datën 16.05.2018 Ministrja kishte marrë vendim për përkrahje financiare – mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit (bileta aeroplani) në vlerë financiare prej 7,144€ për 14 persona për pjesëmarrje në ‘’Ekspozitën e 16 Ndërkombëtare të Arkitekturës në Bienalen e Venedikut”. Personat në fjalë nuk kanë qenë pjesë e Ministrisë dhe nuk dihet qëllimi i kësaj përkrahje apo përfitimi i ministrisë nga pjesëmarrja e tyre në ketë ngjarje”, thuhet në raportin e Auditorit.

Ministria ishte arsyetuar se mbulimi i këtyre shpenzimeve ishte bërë pas një kërkese që kishin pranuar nga Ministria e Kulturës.

“Vendimi ishte lëshuar në bazë të një kërkese, bërë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për të përkrahur mbulimin e pjesërishëm të shpenzimeve, pa ofruar ndonjë dokument mbështetës i cili do të tregonte qëllimin apo përfitimin e ministrisë nga kjo ngjarje”, thuhet në raportin e Auditorit.

Auditori tregon se sipas UA 2004/07, neni 2, udhëtimet zyrtare janë ato lëvizje të cilat kanë një destinacion apo qëllim i cili shërben për kryerjen e detyrave zyrtare të Qeverisë së Kosovës dhe të shërbimit civil.

Raporti vlerëson se shpenzimi i mjeteve financiare për personat që nuk janë pjesë e ministrisë dhe pa përfitime për ministrinë, si dhe mos arsyetimi i mjeteve të shpenzuara, tregon “menaxhim jo adekuat të financave publike, dhe shpenzimet si të tilla, mund të konsiderohen shpenzime të parregullta”.

Ministrit iu rekomandua që çdo shpenzim nga buxheti të dokumentohet sipas rregulloreve financiare.

“Ministri duhet të siguroj se çdo shpenzim i bërë nga buxheti i ministrisë bëhet për financimin e aktiviteteve të ministrisë, është i dokumentuar dhe është në përputhje me rregulloret financiare. “, rekomandon Auditori.

Lidhur me këtë të gjetur të raportit, nuk është pajtuar Ministria. Mirëpo kjo nuk kishte ndryshuar të gjeturën e raportit të Auditorit.

“Vendimi i Ministres është marrë pas kërkesës së Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve kurse qëllimi i përkrahjes ose përfitimi i MMPH ka qenë se, në këtë Bienale janë bërë edhe prezentime të zhvillimit urban/planifikimit hapësinor dhe arkitektonik që lidhet me fushëveprimin e MMPH (gjatë takimit përmbyllës, ekipit të auditimit/ZKA, ju kanë dhënë dëshmitë e marra nga ueb faqja zyrtare e Bienales lidhur me karakterin e këtij evenimenti botëror)”, thuhet në komentin e bërë nga Ministria e Mjedisit.

Në anën tjetër, nga pikëpamja e Auditorit thuhet së dëshmitë e ofruara të Ministrisë nuk e konfirmojnë përftimin e këtij institucioni dhe auditori ka mbetur mbrapa konstatimit të bërë se shpenzimet kanë qenë të parregullta.

“Dëshmitë e ofruara nuk e tregojnë përfitimin e Ministrisë nga pjesëmarrja e personave në fjalë në ketë ngjarje. Nuk ka as ndonjë raport të udhëtimit, prandaj gjetja dhe rekomandimi mbeten pjesë e raportit”, thuhet në pikëpamjen e Auditorit.