Shpend Maxhuni - Foto: KALLXO.com

Shpend Maxhuni kërkon të kthehet në polici

Aty ku shërbeu që nga themelimi, e ishte ndër gjeneratat e para të Shërbimit Policor të Kosovës, ashtu siç quhej para se Kosova të bëhej shtet, Shpend Maxhuni po kërkon të rikthehet prapë.

Kjo pasi që, u bën dy javë që Shpend Maxhuni ka dhënë dorëheqje nga posti i drejtorit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës.

Por pavarësisht se ai ishte bërë drejtor i AKI-së, pozitën e tij të mëhershme në polici ai e kishte pezulluar për t`u kthyer sërish në të dy vjet më pas.

KALLXO.com ka kërkuar nga Policia e Kosovës të dijë nëse ish-drejtori i PK-së dhe AKI-së, Shpend Maxhuni ka bërë kërkesë të rikthehet prapë.

Në një përgjigje të shkurtër për KALLXO.com, Policia e Kosovës e ka konfirmuar kërkesën duke mos dhënë detaje se kur kanë marrë këtë kërkesë.

“Mund të konfirmojmë se Policia e Kosovës ka pranuar kërkesë nga z.Shpend Maxhuni për rikthim në Policinë e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Shpend Maxhuni do të kthehet në polici për të punuar në mënyrë ekuivalente duke u përshtatur me gradën që posedon.

KALLXO.com ka tentuar të flas edhe me vetë Shpend Maxhunin por kontakti me të ka qenë i pamundur.

Dorëheqja e Shpend Maxhunit nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës ende është misterioze pasi që askush saktësisht nuk ka treguar se cilat janë arsyet e dorëheqjes, për dallim nga dorëheqja që kishte bërë nga Policia e Kosovës.

Në mars të vitit të kaluar, gjashtë ‘gylenistë’ u deportuan për në Turqi nën dyshimet se kanë qenë të rrezikshëm dhe përkrahës të Fetullah Gulenit, i cili i dyshohet se kishte organizuar grusht shtetin në Turqi.

Pas këtij deportimi të gjashtë shtetasve turq kryeministri i vendit thirri Këshillin Kombëtar të Sigurisë, Këshill ky në të cilin bënin pjesë edhe ish – Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj dhe ish-drejtori i AKI-së, Driton Gashi të cilëve iu kërkua lirimi nga detyra, e Shpend Maxhuni si drejtor i policisë kishte dhënë dorëheqje për t’u rehatuar më pas në AKI si udhëheqës i njërit prej institucioneve kyçe të sigurisë në Kosovë.

Kush është Shpend Maxhuni

Njëri nga gjeneratat e para të Shërbimit Policor të Kosovës e i rekrutuar në vitin 1999 nga UNMIK-u, Shpend Maxhuni pati gradime të shumta ndër vite në Policinë e Kosovës.

Ngritja e Shpend Maxhunit në karrierë u bë ‘në kurriz’ e operacionit të 25 korrikut 2011 në veri të Mitrovicës. Ai vendosi ta zbatojë urdhrin e kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçi për shtrirjen e kontrollit në pikat kufitare 1 dhe 31, në Bërnjak dhe Jarinje.

Në fund të këtij aksioni u vra polici Enver Zymberi. Deri në orët e para të këtij aksioni, drejtor i Policisë së Kosovës ishte Reshat Maliqi. Ai u shkarkua nga Hashim Thaçi, me pretekstin se nuk pranoi ta zbatonte planin në tërësi.

Pas kësaj ngjarje, Shpend Maxhuni ishte bërë Ushtrues Detyre i Drejtorit të Policisë së Kosovës, pozitë këtë të cilën e mbajtur deri në vitin 2018, pak ditë pas deportimit të gjashtë shtetasve turq.

Paraqitjet e Shpend Maxhunit si drejtor i AKI-së dhe Policisë së Kosovë nuk dallonin shumë pasi që në të dyja rastet nuk është se pati paraqitje publike.

Paraqitjet e tij të vetme ishin gjatë intervistimit në Komisionin parlamentar për “gylenistë” dhe në defileun me varkë krahas presidentit Hashim Thaçi në liqenin e Ujmanit, në ditën kur opozita po protestonte kundër ndarjes së territorit të Kosovës.

Skandalet, pjesë e së ciave ishte edhe Maxhuni nuk përfunduan me atë të deportimit të ‘gylenistëve’.

Maxhuni ka qenë drejtor i Policisë së Kosovës në kohën kur ka ndodhur një prej skandaleve më të mëdha në Policinë e Kosovës, ku në Dhomën e Dëshmive në stacionin policor në Pejë, në periudhën shkurt-prill të vitit 2012 ishin vjedhur 25 kilogramë ar.

Pas këtij skandali, Maxhuni e kishte shkarkuar Ahmet Hasin nga pozita e drejtorit të Policisë në Pejë.

Një tjetër rast, është edhe ai i përfshirjes së djalit të Shpend Maxhunit në rastin ku u gjetën armë e drogë në veturë.

Në fund të vitit të 2018, Prokuroria pati punë edhe me Shpëtim Maxhunin, djalin e tashmë ish-shefit të AKI-së, Shpend Maxhuni. Ai ishte ndaluar nga policia që drejtonte babai i tij, më 12 tetor dhe në veturën e tij ishte gjetur dhe konfiskuar një armë dhe narkotik.

Shkëlqimi dhe rënia e Shpend Maxhunit

Shpend Maxhuni, Drejtor i ri i AKI-së

Dorëheqja e Shpend Maxhunit e lë AKI-në pa asnjë drejtues