Shpend Ahmeti: Shkollat e Prishtinës të hapura për fëmijët e Durrësit

Si pasojë e tërmetit i cili ka goditur zonën e Durrësit në Shqipëri mëngjesin e 26 nëntorit, shumë familje janë strehuar në Kosovë.

Për fëmijët e ardhur nga Durrësi, të cilët janë strehuar në Prishtinë, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka bërë të ditur se shkollat e Prishtinës janë të hapura për ta.

“Shkollat e Prishtinës janë të hapura për të gjithë fëmijët të larguar nga Shqipëria për shkak të tërmetit, e të strehuar në Prishtinë”, ka shkruar Ahmeti.

Ai tutje ka bërë të ditur se detajet e lajmërimit, sistemimit dhe inkuadrimit të fëmijëve që të mos humbin orë të mësimit, do t’i bëjë të ditura më vonë Drejtoria e Arsimit në Prishtinë.

Numri i viktimave nga tërmeti i 26 nëntorit ka shkuar në 52, ndërsa mbi 900 mbetën të plagosur dhe shumë të pastrehë.

Tërmeti lë pas një krizë strehimi në fshatra