Ilustrim

Shpend Ahmeti reagon për numrin e banesave pa leje në Prishtinë

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar pak minuta pasi në “Debat Përnime” u diskutua në lidhje me banesat pa leje të ndërtuara në Prishtinë.

Reagimi i Ahmetit erdhi pasi kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama, i ka thënë kandidatit të LVV-së, Arben Vitisë, se nuk ka informata të sakta në lidhje me numrin e ndërtimeve pa leje në Prishtinë.

“Nuk keni informata të sakta, keni nevojë për update”, është shprehur Rama.

Kjo deklaratë e Ramës ka ardhur pasi Vitia ka deklaruar se në Prishtinë janë mbi 46 mijë ndërtime pa leje.

Sipas kandidatit të LDK-së në Prishtinë janë 55 mijë ndërtime pa leje aktualisht.

Në reagimin e tij, i pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se nuk janë 46 mijë e as 55 mijë banesa pa leje në Prishtinë.

“Në vitin 2014 e kemi bërë një vlerësim dhe kanë qenë 46 mijë shkelje të ligjit (këtu përfshihen edhe mbylljet e ballkoneve). Prej atëherë ka ndërru ligji edhe njëherë duke e shtyrë edhe datën e aplikimit.  Në ndërkohë janë rrënuar plotë objekte edhe nga inspekcioni dhe tepër më shumë janë rrënuar vetë për shkak të ndërtimeve.  Janëe legalizuar mbi 1000 ndërtime, e prej të cilave plotë përfshijnë nga disa shkelje të ligjit”, ka reaguar Ahmeti në Facebook.

Ai ka shtuar se numri i banesave pa leje është shumë më i  vogël në ditët e sotme.

“Njëri kandidat nuk ishte azhurnuar nga 2014 dhe nuk kishte sigurinë që ta mbronte numrin.  Tjetri kandidat përdori komunën si burim pa qenë fare as mundësia teorike, dhe tha se janë 55 mijë banesa pa leje.  në këtë nuk ka as logjikë. Tjetri pastaj tha nashta janë bërë në mandatin e dytë që do të thote se ai tha 1ë 11,000banesa pa leje janë ndërtuar. a e dini sa janë 11,000 banesa? Debatet janë të domosdoshme por jo të bazuara në numra inekzistent”, ka shkruar në fund Ahmeti.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Prishtinës, diskutojnë në “Debat Përnime” për balotazhin e 14 nëntorit.

Të ftuar në “Debat Përnime” janë kandidatët që kanë shkuar në balotazh në Prishtinë, Arben Vitia nga Lëvizja Vetëvendosje (VV) dhe Përparim Rama nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Sipas rezultateve përfundimtare të KQZ-së për rundin e parë të zgjedhjeve që janë mbajtur më 17 tetor, kandidati i LVV-së, Arben Vitia ka marrë 42.5% të votave, kurse Përparim Rama nga LDK ka siguruar 29.2%.