Atmosfera e fundvitit në Prishtinë. Foto: Kallxo.com

Shpend Ahmeti pyet qytetarët përmes Facebook-ut a duhet të stoliset kryeqyteti për festat e fundvitit

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, përmes një ankete të publikuar në grupin i cili u krijua gjatë karantinës #rriNshpi me neve, me rreth 50 mijë anëtarë, ka pyetur qytetarët se a duhet të stoliset kryeqyteti për festat e fundvitit.

Sipas votimeve deri më tash 2 mijë e 225 anëtarë kanë votuar pro, 1 mijë e 395 kundër dhe 44 abstenime.

Ndërsa, qytetarër kanë bashkangjitur në anketë edhe propozime që më ato para të ndihmohen familjet e varfëra në këtë situatë pandemike,  të gjendet zgjidhje për qentë endacakë, të rregullohet urbanizmi etj., të cilat nuk i prijnë listës së votave.

Komuna e Vushtrrisë ka ndarë rreth 11 mijë euro për t’i shpenzuar për dekorimin e qytetit për festat e fundvitit.

Në këtë aktivitet, Komuna e Vushtrrisë ka kërkuar të furnizohet me 2 mijë e 500 drita dekoruese me ngjyre të verdhë, të cilat do të mbështillen përreth degëve të pemëve në sheshin e qytetit.

Po ashtu, nga Komuna është kërkuar edhe furnizimi i një bredhi artificial i gjatë 10 metra dhe me diametër 3.5 metra.

Më 2 nëntor dy komuna të Kosovës kanë nisur procedurat e tenderimit për stolisjen qytetit me drita dekorative.

Komuna e Suharekës sot ka hapur procesin e tenderimit për t’u furnizuar me drita dekorative dhe bredha.

Kjo komunë ka planifikuar t’i shpenzojë 5 mijë euro për këtë aktivitet.

Proces të tenderimit për aktivitetin e njëjtë ka hapur edhe Komuna e Ferizajit.

Komuna që udhëhiqet nga Agim Aliu ka planifikuar t’i shpenzojnë 9 mijë e 900 euro për të stolisur qytetin me drita dekorative e bredha.