Shpend Ahmeti për inspektorin e arrestuar: S’mund të garantojmë që askush nuk është i përfshirë në korrupsion

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti është deklaruar për arrestimin e inspektorin komunal të ndërtimit, nën dyshimin për marrje ryshfeti në shumë prej 12 mijë eurove.

Ahmeti ka thënë se nuk mund të garantojnë  që askush nuk tenton e as nuk është i përfshirë në korrupsion.

“Inspektori i Komunës u arrrestua.  Komuna e Prishtinës i ka mbi 6000 punëtorë dhe nuk ka gjasa me garantu që askush nuk tenton e as nuk është i përfshirë në korrupcion. Por atë që garantojmë është që nuk tolerohet”, ka shkruar ai në Facebook.

I pari i Prishtinës ka bërë të ditur se  vjet e sivjet kanë denoncuar në polici si staf politik disa zyrtarë që ende janë në procese gjyqësore.

“Nuk po pragjykoj rastin por në raste të tilla kam edhe gëzim edhe idhnim. Idhnim se dikush mund të bëjë e gëzim se dikush potencialisht u kap.  Edhe njëherë nuk e paragjykoj rastin por pa marr parasysh cilës parti i përket, nuk tolerohet.  Do të bashkëpunojmë me e do ti ndihmojmë organet e rendit në çdo gjë”, thuhet në publikimin e tij.

Inspektori në fjalë ishte arrestuar në flagrancë duke marrë 12 mijë euro nga një ndërtues në Prishtinë, i cili ndonëse ishte i pajisur me leje ndërtimore, inspektori i kishte ndalë punimet duke i kërkuar 12 mijë euro, në mënyrë që t’i jepet leja për të vazhduar punën.

Kurse, Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar në lidhje me lajmet e publikuara  se inspektori i Prishtinës i arrestuar duke marrë ryshfet është pjesë e kësaj partie. Dega e LVV-së në Prishtinë e ka demantuar lajmin duke thënë se personi në fjalë është larguar nga kjo parti politike.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, në një postim të gjatë në Facebook ka renditur disa lajme rreth projekteve dhe ndodhive lidhur me qeverisjen në kryeqytet.