Shpend Ahmeti: Pas pandemisë do të reduktojmë qarkullimin e veturave

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka paralajmëruar se pas pandemisë do të ndërmarrin një varg masash për të reduktuar numrin e makinave prej pagesave për qendër, parkingjeve më të shtrenjta deri te mbyllja e rrugëve të caktuara në vikende, si dhe mbyllja e përhershme e disa rrugëve.

Ahmeti përmes një shkrimi në “Facebook”, tha se do të investojnë dhe më shumë në transport publik, çiklizëm dhe gjelbërim, kjo pasi që thotë se Prishtina dallon shumë kur nuk ka automjete në qarkullim.

“Dallim i madh Prishtina me shumë kerre dhe Prishtina me pak kerre.  Pas pandemisë, si komunë do të kemi një varg masash për të reduktuar numrin e makinave prej pagesave për qendër, parkingjeve më të shtrenjta deri te mbyllja e rrugëve të caktuara në vikende, si dhe mbyllja e përhershme e disa rrugëve.  Do të investojmë edhe më shumë në transport publik, çiklizëm dhe gjelbërim. S’ka rrugë tjetër për ne.  Jemi qytet shumë i bukur për tu shkatërruar nga kerret”, ka shkruar i pari i kryeqytetit.

Ministria e Shëndetësisë ka lehtësuar masa për kufizimin e lëvizjes që nga dje.

Kryetarë të disa komunave janë ankuar se qytetet janë mbushur me qytetarë, e në rastin e Prishtinës ishin krijuar edhe kolona më automjete.