Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Shpend Ahmeti: Nuk do të lejojmë tubime zgjedhore brenda shkollave
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka bërë të ditur se nuk do të lejojnë tubime të qytetarëve brenda shkollave për shkak të gjendjes me pandeminë.
Ky reagim i Ahmetit erdhi pasi drejtorët e shkollave kishin lajmëruar për presion nga shtabet e partive për tubime brenda shkollave për shkak të shiut.
Ahmeti ka thënë se një gjë e tillë nuk do të pranohet pasi zgjedhjet po mbahen në kushte të jashtëzakonshme.
“Drejtorët e shkollave dhe drejtoria e Arsimit kanë lajmëruar që kanë presion nga shtabet për me i leju tubimet me qytetarë brenda në shkolla për shkak të shiut. Përgjigja është jo! Zgjedhjet po mbahen në kushte të jashtëzakonshme. Sipas udhëzimeve çfarëdo grumbullimi i qytetarëve në hapësira të mbyllura duhet të kufizohet”, ka thënë Ahmeti.
Kryetari i Prishtinës ka thënë se nuk kanë kapacitete të zbatojnë strategji të lejimeve me vaksinim apo test PCR, duke shtuar se rrezikohet edhe shëndeti i fëmijëve.
“Nuk kemi kapacitete të zbatojmë strategji të lejimeve me vaksinim apo PCR. Por edhe më me rëndësi mësimi i fëmijëve po zhvillohet në ato hapësira gjatë ditës. Nuk duhet të rrezikojmë qoftë edhe një rast. Meqenëse nuk jemi në garë, besoj se hasim në mirëkuptim të partive që ky vendim strikt po zbatohet duke konsideruar vetëm shëndetin e qytetarëve”, shtoi Ahmeti.
I pari i Prishtinës ka potencuar se edhe më tutje tubimet në vende të hapura lejohen vetëm me masat e marra nga Qeveria dhe sikur në zgjedhjet nacionale nuk do të hezitojnë në shqiptimin e dënimeve.
Ahmeti ka kërkuar mirëkuptim nga kandidatët për kryetar të Komunës së Prishtinës.
Zgjedhjet lokale do të mbahen më 17 tetor.