Shpend Ahmeti, kryetar i komunës së Prishtinës
Shpend Ahmeti mohon se ka pasur përleshje me Afrim Tovërlanin
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka mohuar lajmet se është përleshur me trajnerin e futbollit Afrim Tovërlanin.
Ai ka sqaruar se Tovërlani mbrëmë ka shkuar në shtëpinë e tij, porse ai s’ka qenë në shtëpi.
Sipas Ahmetit, Tovërlani vetë e ka thirrur Policinë, e cila e ka arrestuar.
Përmes një postimi Ahmeti ka thënë se nuk ndihet i kërcënuar dhe se pret që trajneri të sqarojë situatën.
“Afrimin e njoh moti dhe e kam mik. Ka qenë mbrëmë të shtepia kur nuk kam qenë unë dhe e ka thirr vetë policinë e cila me të arritur e ka arrestuar. Nuk ndihem as i kërcënuar e as i rrezikuar nga Afrimi edhe pse vizitat e vona në shtëpi kur nuk jam prezent dhe me fëmijë të mitur prezent nuk janë të mirëseardhura. Mirëpo, nuk ka pas as fjalosje e as ndonjë fjalë të rëndë me fëmijet dhe familjen“, ka thënë Shpend Ahmeti.
Policia e Kosovës kishte konfirmuar se mbrëmë rreth orës 17:50, Afrim Tovërlani kishte qenë nën ndikimin e alkoolit dhe të njëjtit i është konfiskuar një thikë.
Me vendim të prokurorit ai është dërguar në mbajtje.