Shpend Ahmeti - Kryetar i Prishtinës - FCB

Shpend Ahmeti kundër masave të fundit të qeverisë për Prishtinën

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka reaguar lidhur me masat e fundit të qeverisë për COVID-19.

Ahmeti ka thënë se nuk mund ta fusësh në zonë të gjelbër komuna që nuk kanë fare testime, kurse për Prishtinën sipas Ahmetit është e natyrshme të ketë shumë raste pasi ka më së shumti testime.

“Prishtina në zonën e kuqe, e Lipjani e Graçanica zonë e gjelbërt thua se jemi qindra kilometra larg. Në qoftë se një komunë nuk e teston askënd, pra nuk ka raste pozitive atëherë është në zonën e gjelbër. Prishtina me 12000 teste natyrisht se ka me dal me numër më të madh se sa Ferizaji me 350 teste,” ka shkruar Ahmeti.

Ahmeti ka theksuar se nuk mund të ketë mbyllje pa kritere dhe pa ndihmë ekonomike për biznese dhe qytetarë.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka bërë të ditura masat e reja anti- COVID për ditë e ardhshme në Kosovë. Vendimi sipas Hotit pritet të vihet në votim në qeveri.

Hoti tha se kanë bërë ndarjen e komuanve sipas numrit të të infektuarve për një javë  për 100 mijë banorë.

Komunat  me numër të të infektuarve nën 75 për 100 mijë banorë janë futur në “grupin e gjelbër”. Në këto qytete operatorët ekonomik, gastronomia dhe veprimtaria hoteliere  mund të punojnë nga ora 05:00 deri në në orën 20:00, pas kësaj ore mund të punohet vetëm me dërgesë  dhe “ merr me  vete”.

Në qytetet me rrezikshmëri të mesme të cilat përfshijnë ato komuna me numër nën 150 të infektuar për 100 mijë banorë  operatorët ekonomik, shërbimet hoteliere dhe gastromia mund të punojnë  nga ora 05:00 deri  18:00. Ndërkaq pas kësaj ore veprimtaria  mund të zhvillohet vetëm me porosi apo “merr me vete”.

Për këto qytete është marrë vendim që insitucionet publike të punojnë me staf esencial.

Komunat me rrezikshmëri të lartë me numër të infekturave mbi 150 për 100 mijë banorë brenda javës  janë kategorizuar në zonen e kuqe. Në këto qyteete operatorët ekonomik, shërbimet hoteliere dhe gastronomia janë lejuar në punojnë nga ora 05:00-19:00. Nga ora 19:00, kryeministri Hoti ka bërë të ditur se të gjitha bizneset do të mbyllen.

Në komunat me rrezikshmëri të lartë nga e premtja në ora 19:00 do të filloj ora policore dhe do të ndalohen hyrjet – daljet.

Si do të punojnë bizneset sipas masave të reja të Qeverisë?