Shpend Ahmeti kritikon PDK-në për legalizimin e ndërtimeve pa leje

Kreu i PSD-së, njëherësh kryetar i Komunës  së Prishtinës, Shpend Ahmeti, e ka kritikuar premtimin e PDK-së për legalizim të ndërtimeve pa leje,  me pagesë.

Ahmeti përmes një publikimi në Facebook, ka shkruar se PDK po premton diçka që është tashmë në ligj dhe diçka që nuk është kompetencë e nivelit qendror.

“Si nivel qendror, qeveria duhet të garantojë financim shtesë për komunat për të trajtuar mbi 300 mijë ndërtime pa leje në krejt Kosovën. Duhet me u siguru qe kjo bëhet në mënyrë transparente dhe sipas radhës së aplikimit”, thuhet në shkrimin e tij.

Sipas Ahmetit, ligji i parë për legalizim i kaluar në kohën kur në qeverisje ka qenë PDK dhe sipas tij, ka dështuar në zbatim në kohën kur në qeverisje kanë qenë PDK/LDK.

Kadri Veseli premton legalizimin e objekteve pa leje brenda 2 viteve

Ky është postimi i plotë i Shpend Ahmetit në Facebook:

PDK po premton se do të legalizojnë ndërtimet pa leje me pagesë 1 euro për metër katror, brenda dy viteve të ardhshme.

Ligji për legalizimin e ndërtimeve pa leje i cili është dekretuar në vitin 2018, thotë:

Neni 20
Taksat
1. Taksa për legalizim të ndërtimeve pa leje të kategorisë I dhe ndërtimeve pa leje të Kategorisë II që janë shtëpi është një euro për metër katror (1€/m2).

Neni 21
Afatet
1. Aplikacionet për certifikatë legalizimi dhe për leje legalizimi për përfundim të ndërtimit dorëzohen brenda dy (2) viteve pas hyrjes në fuqi të këtij Ligji.

Neni 6
1. Komunat kanë përgjegjësinë primare për zbatimin e këtij Ligji për kategoritë I dhe II të ndërtimit si dhe ushtrojnë përgjegjësitë e përcaktuara në këtë ligj

Pra, PDK po premton diçka që është tashmë në ligj, dhe diçka që nuk është kompetencë e nivelit qendror.

Si nivel qendror, qeveria duhet të garantojë financim shtesë për komunat për të trajtuar mbi 300 mijë ndërtime pa leje në krejt Kosovën. Duhet me u siguru qe kjo bëhet në mënyrë transparente dhe sipas radhës së aplikimit.

Tjerat janë fushatë me qëllim të dezinformimit.

P.S. ligji i parë për legalizim i kaluar në kohën kur në qeverisje ka qenë PDK, ka dështuar në zbatim në kohën kur në qeverisje kanë qenë PDK/LDK