Shpend Ahmeti, kryetar i komunës së Prishtinës

Shpend Ahmeti jep detaje për qytetarin nga Prishtina që vdiq sot nga COVID-19

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka dhënë detaje rreth qytetarit nga Prishtina që vdiq sot në mëngjes nga coronavirusi.

Ahmeti ka shkruar se S.N, ishte në gjendje të rëndë shëndetësore dhe sociale dhe ishte i vetëm, pa familjarë.

Ai ka thënë se deri në vitin 2015, ky qytetar kishte jetuar në kontejner, ndërsa që nga ai vit, Komuna e Prishtinës i ka paguar qeranë e banesës.

“Që atë vit, S.N. e kemi vendos në banesë me qera në Prishtinë. Pacient i rregulltë i urgjencës dhe qendrave tona të mjekësisë familjare. Disa miq, dhe kojshitë i dërgonin edhe ushqim dhe kujdeseshin për të. Kështu ndodhi edhe javen e kaluar kur njëri prej kojshive na lajmëroi që pacienti ishte keq dhe se ka nevojë për ndihmë. gjatë kësaj periudhe ekipet tona kanë vizituar S.N. disa herë për shkak të sëmundjeve kronike”, ka shkruar Ahmeti.

Sipas tij, personi në fjalë fillimisht nuk kishte simptoma të virusit, megjithatë mjekët e kishin testuar dhe në fund ai kishte dalë pozitiv.

“Ky status ishte për ta kujtuar një qytetar të Prishtinës, i cili kisht e jetë të vështirë, shumë më të vështirë se sa që të gjithë ne mund ta imagjinojmë. Me sëmundje, pa të ardhura, pa familje. Meqenëse ka pak njerëz që mund ta kujtojnë, e edhe më pak njerëz që mund ta varrosin, ta kujtojmë të gjithë së bashku, e me këtë edhe të mendojmë për virusin, por edhe më shumë për solidaritetin”, ka shkruar Ahmeti.

Mëngjesit e sotëm Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se kanë vdekur dy pacientë me COVID-19, të cilët ishin duke u trajtuar në Klinikën Infektive. Numtri total i të vdekurve nga COVID-19 në Kosovë ka shkuar në 3.