Shpend Ahmeti i vetmi kryetar shqiptar që i iku debatit

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, nuk ka pranuar të vijë në debatin “Jeta në Komunë” që organizohet tash e disa vjet me kryetarët e të gjitha komunave të Kosovës.

Pa dhënë ndonjë shpjegim të hollësishëm, i pari i Prishtinës ka refuzuar të jetë pjesë e debatit.

Ahmeti ka qenë kryetari i vetëm shqiptar që ka refuzuar pjesëmarrjen në debatin “Jeta në Komunë”.

Kjo nuk është hera e parë që Shpend Ahmeti refuzon pjesëmarrjen në këtë debat.

Ai kishte refuzuar pjesëmarrjen edhe në debatin e balotazhit të vitit 2017 kundër Arban Abrashit të LDK-së.

Megjithatë, debati është mbajtur vetëm me anëtarët e Kuvendit Komunal të Prishtinës.

Me anëtaret e Kuvendit Komunal të Prishtinës janë diskutuar problemet e kryeqytetit dhe premtimet e pambajtura nga Shpend Ahmeti.

Të ftuar në debat janë: Shefki Gashi, këshilltar nga LDK, Leonora Shabani Bajraktari, këshilltare nga LVV, Fiknete Bejta, këshilltare e pavarur, Leutrim Retkoceri, këshilltar nga PDK, Egzon Azemi, këshilltar nga LVV dhe Dren Shahini, aktivist nga qyteti i Prishtinës.