Shpend Ahmeti i shqetësuar nga rritja e rasteve me COVID-19, bën apel për respektim të masave

Kryetari Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, pas një takimi me Ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se qëllimi i këtij takimi është bashkëpunimi që të mos ketë restrikcione shtesë, duke shtuar se ditëve të fundit është vënë re rritje e numrave dhe krizës në Kosovë dhe vende të rajonit.

“Qëllimi i këtij takimi është që të punojmë bashkë për të mos pasur restrikcione shtesë, kjo nuk varet vetëm nga ne por nga qytetarët. Nuk jemi të interesuar të bëjmë karantina ose reduktime të orareve. Ju e dini që unë dje kam ngritur një alarm për shkak se ne para një muaji kemi pasur një krizë më të madhe të cilën vendet tjera nuk e kanë pasur dhe filluan të na thonë se jemi vendi i parë në Evropë, tani është një krizë e re ku mund të vërehet nga vendet e rajonit si Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Çekia, krizë kjo që mund të qoj drejt mbylljes,” ka thënë Ahmeti

Ahmeti tutje ka folur edhe për shkollat të cilat sipas tij në rast se kanë mbi 5% të stafit të infektuar mbyllen dhe kalojnë online deri në ritestim si dhe për planet që në muajin nëntor të testohen 3000  qytetarë me teste serologjike për arsye hulumtuese.

“Lidhur me shkollat e kemi sistemin më të mirë të funksionit të tyre gjatë epidemisë. Në momentin që e kuptojmë se kemi mbi 5 % të stafit të prekur ne kalojmë në skenarin C të shkollës duke e mbyllur për disa ditë deri në ritestim. Dje u desh ta mbyllim Xhemajl Mustafën para dy javësh Faik Konicën dhe kështu do vazhdojë deri sa të bie numri nën 5% i infektimit në staf. Në nëntor do testojmë 3000 qytetarë të Prishtinës për një hulumtim që do publikohet edhe në revista ndërkombëtare me anë të cilit do mund ta kuptojmë sa persona janë prekur me virus,” ka shtuar tutje Ahmeti.