Shpend Ahmeti, kryetar i PSD-së. Foto: Atdhe Mulla

Shpend Ahmeti i përgjigjet Salih Zybës të Vetëvendosjes

Kryetari i Komunës së Prishtinës dhe kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti, ka reaguar ndaj deklaratave të ish-bashkëpartiakut të tij, zyrtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba.

Zyba dje kishte thënë që Ahmeti tashmë nuk mund të jetë as deputet dhe as kryetar komune dhe vendin ku do të jetojë ka të drejtë ta zgjedhë si Xhabir Zharku.

Ndërsa Ahmeti sot i është kundërpërgjigjur se nuk e ka synim azilin dhe nuk ia ka frikën kërcënuesve e aq më pak ata që i njeh mirë.

“Jam qytetar krenar i Republikës së Kosovës dhe nuk e kam synim azilin në asnjë shtet tjetër. Nuk ja kam pas frikën kërcënuesve në asnjë rrethanë e aq më pak disave që i njoh mirë. Urime miq të mi! Kosova ka mjaft probleme për me i zgjidh”, ka shkruar Ahmeti.

Në anën tjetër, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është distancuar nga këto deklarata duke thënë se e presin “shumë punë më të mençura sesa tash të merrmi kush s’kaloi, çka u bë e çka do ta gjejë”.