Shpend Ahmeti, kryetar i komunës së Prishtinës

Shpend Ahmeti fton për respektim të kufizimeve sipas vendimit të qeverisë

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka kërkuar nga qytetarët që ta zbatojnë vendimin e qeverisë Kurti për ndalimin e qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve.

Sipas kryetarit të Prishtinës, qytetarët nuk duhet të bien pre e ‘luftës’ së kryeministrit dhe presidentit.

“Qytetarë të Prishtinës, vazhdojmë të merremi me sëmundjen. Nesër #rriNshpi sa më shumë që mundeni e posaçërisht në oraret e kufizuara sipas vendimit të qeverisë. Ju që e keni të domosdoshëm paraqitjen në vend të punës shkoni para orës 10:00 dhe kthehuni në shtëpi pas orës 16 deri në 20, Skeni nevojë me testu institucione për shkak të konfliktit politik që po ndodhë”, ka shkruar Ahmeti.

I pari i Prishtinës i ka bërë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë ta ruajnë vetën.
“Më dëgjoni, ruani vetën dhe familjet. Duhet ta ngadalësojmë virusin. Derisa të shtyhen në Gjykatë Kushtetuese mendoni vec për komunitetin se prapë te kjo betejë do kthehemi. Sonte fleni të qetë”, ka theksuar ai.

Sot qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ndalimin e qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve pritet të ndahet në dy kohë të ndryshme. Nga ora 10:00 e mëngjesit deri në ora 16:00 pasdite dhe prej orës 20:00 në mbrëmje deri në ora 06:00 në mëngjes.
Ndërsa përmes një konference për media presidenti ka thënë se Policia dhe organet e sigurisë nuk duhet ta zbatojnë vendimin e Qeverisë Kurti.