Shpend Ahmeti - Kryetar i Prishtinës - FCB

Shpend Ahmeti flet për "taksën e hyrjes" në Prishtinë: Do ta evitojë ndotjen dhe tollovinë

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se pagesa e taksës për lëvizje me makinë në pjesë të populluara të Prishtinës do të ulë nivelin e ndotjes dhe tollovinë.

Ahmeti përmes një postimi në Facebook ka thënë se meqenëse në Prishtinë janë rrugët e ngushta dhe nuk mund të zgjerohen zgjidhja e vetme mbet kjo dhe ndërtimi i rrugëve alternative.

Ai ka thënë se diskutimet gjatë javës në lidhje me taksën për hyrje në Prishtinë janë keqinterpretime, dhe se ky veprim nuk i penalizon qytetarët e komunave tjera.

“Nuk ka rampa (laura), nuk ka diskriminime, kur të vendoset kjo politikë vlen për të gjithë dhe implementohet me kamera.  Thjeshtë në një qytet të vogël ku mundesh me ec në këmbë prej njërës anë në tjetrën për 30 minuta dhe me ndotje serioze gjatë dimrit, prioritet duhet ta kemi luftimin e përdorimit të panevojshëm të veturave” ka shkruar Ahmeti.

Ai këtë situatë e ka krahasuar me rregullimin e sistemit në qytetin e Londrës.

“Në gjuhën angleze njihet si Congestion Charge (taksë e tollovisë në njëfarë mënyre).  Londra është kryeqyteti që e ka rregulluar më së miri këtë sistem” ka shkruar ai.

Ahmeti ka thënë se janë duke adresuar në Termoskos edhe kyçjen e shtëpive individuale në ngrohje qendrore për të evituar ndotjen gjatë dimrit.