Shpend Ahmeti flet për akuzat rreth lidhjes së ‘Maxi Market’ me kiosqet e Prishtinës

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, në një përgjigje për KALLXO.com, ka folur për akuzave të bëra nga  asamblisti i Vetëvendosjes, Egzon Azemit, se njëri nga llotet për kiosqe do të fitohet nga rrejti i marketeve ‘Maxi’.

Ai këtë e kishte lidhur me faktin se drejtori i Shpend Ahmetit, Genc Bashota është ortak në fabrikën e duhanit në Gjilan bashkë me Gazmend Abrashin. E ky i fundit është pronar i  rrjetit të marketeve “Maxi” në kryeqytet.

“E para është me kesh, me Egzonin dhe budallakinat që vazhdimisht po i thojnë në Kuvendin Komunal. Spektaklet në Kuvendet Komunale në kohë zgjedhjesh kur ata mundohen me paraqitë, unë besoj që drejtori Bashota do t’i përgjigjet me një padi të shpejtë”, ka deklaruar Ahmeti.

Shfrytëzuesit e kiosqeve në Prishtinë kanë protestuar disa herë prej se Komuna e Prishtinës publikojë thirrjen për dhënie në shfrytëzim të qosheve (kiosqeve). Në këtë thirrje, Komuna kishte vendosur kritere shumë të larta financiare dhe parakusht për të pas rrjet të marketeve për t’u parakualifikuar në këtë ankand.

Shfrytëzuesit e kiosqeve kanë thënë se Komuna e Prishtinës e ka përgatitur këtë thirrje për rrjetet e mëdha të marketeve dhe ka për qëllim t’i largojë ata tërsisht nga tregu.

Por, kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë se shfrytëzuesit e këtyre kisoqeve, nuk janë raste sociale.

“Kiosqet aktuale, të cilat asnjëra nuk janë raste sociale, të gjitha janë biznese, ka kompani e cila momentalisht i ka katër kiosqe, ka kompani që i ka tri kiosqe sot kur po flasim. Ju kanë skaduar kontratat në vitin 2011, 2012, 2013 dhe kjo është realiteti”, ka deklaruar Ahmeti.

Ai ka thënë se kontratat e shfrytëzimit të pronës komunale kanë afate dhe se komuna vetëm po e zbaton ligjin.

Sipas tij, deri tash komuna ka toleruar për një periudhë të caktuar, ndërsa thotë se kanë marrë komente edhe nga auditori.

“Tashmë kemi marrë komente për pronat komunale nga Auditori, duke na përkujtuar se shfrytëzimi pa kontratë i hapësirës komunale, i pronës komunale është edhe vepër penale. Ata nuk kanë pagu qira, nuk kanë kontrata, nuk e di sa i paguajnë shtetit dhe tash prej neve po kërkohet që me ia vazhdu bizneseve që i kanë nga katër kiosqe në Prishtinë, me i thonë qe merri ti edhe 40 vjet tjera”, ka thënë Ahmeti.

KALLXO.com ka raportuar për misterin e tenderit të kiosqeve në kryeqytet.

Misteri i 5 milionëshit për kiosqet e Prishtinës