Shpend Ahmeti, kryetar i komunës së Prishtinës

Shpend Ahmeti: Çdo vonesë e pakos emergjente e rrit koston më vonë

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka deklaruar se  me zbutjen potenciale të pasojave shëndetësore të coronavirusit, shtohet presioni për pasojat ekonomike të kësaj pandemie.

Sipas tij, çdo ditë vonesë në një pako intervenuese ekonomike e rrit koston më vonë.

“Pra në qoftë se në fillim kanë qenë të nevojshme 100 milion për intervenim, sot nevojitet një shumë tepër me e madhe për të arritur efektet e njejta si 100 milionshi në fillim. Pakoja e parë ekonomike e cila po zbatohet në mënyrë gjysmake është e pamjaftueshme në qoftë se nuk duam të shohim krizë të zgjatur ekonomike”, ka shkruar ai në Facebook.

Ahmeti ka shtuar se nuk po mundet ta kuptojë që nuk po ka hapësirë as të takohen subjektet politike për negociata për një pako të përbashkët.

“A duhet me ju thirr ndonjë ambasadë me ju bo bashkë? Kuptoni që këto kalkulime politike kanë pasoja në jetë njerëzish”, thuhet në publikimin e tij.

Deri më tani në Kosovë, janë konfirmuar 856 persona me COVID-19, 490 janë shëruar dhe 26 pacientë kanë vdekur.