Shpejtim Bulliqi, Foto: Lëvizja Vetëvendosje - Qendra Besianë/Facebook

Shpejtim Bulliqi, kandidat i LVV-së për kryetar të Podujevës

Lëvizja Vetëvendosje e ka prezantuar Shpejtim Bulliqin si kandidat për kryetar të Komunës së Podujevës.

“Me 95.76% anëtarësia e Lëvizjes Vetëvendosje, sot ka votuar pro kandidaturës së profesorit Shpejtim Bulliqi”, thuhet në njoftimin e Lëvizjes Vetëvendosje – Qendra Besianë.

Shpejtim Bulliqi ka lindur në shtator të vitit 1968, në fshatin Llugë të Podujevës.

Ai ka përfunduar studimet themelore, ato të magjistraturës dhe doktoratës në Departamentin e Gjeografisë në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore, në Universitetin e Prishtinës.

Në zgjedhjet e 6 tetorit, është rizgjedhur për herë të dytë deputet në Kuvendin e Kosovës.

Zgjedhjet në Podujevë janë shpallur pasi kryetari i deritanishëm i kësaj Komune, Agim Veliu është emëruar ministër i Brendshëm në Qeverinë Kurti.

Dje LDK ka njoftuar se kandidati i tyre për kryetar të Podujevës do të jetë Nexhmi Rudari, nënkryetari i deritanishëm i kësaj Komune.

Zgjedhjet e parakohshme për kryetar të Podujevës do të mbahen më 15 mars.