Shpejtim Bulliqi flet në Kuvend për fitoren në Podujevë, ironizon me Arban Abrashin

Deputeti i LVV-së dhe kryetari i zgjedhur i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, në Kuvendin e Kosovës tha se dita e djeshme është ditë e ndryshimit.

“Dje ishte ditë zgjedhore në Llap, andaj më lejoni që nga këtu të përgëzoj gjithë qytetarët e Llapit dhe Gollakut për një fitore mahnitëse dhe për sjelljen e ndryshimit pas 20 viteve atje. Ishte një ditë e veçantë, sepse ishte ditë e ndryshimit, ku e lamë pas një pushtet që për kaq vite nuk përmbushi nevojat e qytetarëve dhe nga dje Llapi e Gollaku frymojnë lirshëm”, tha ai.

Bulliqi po ashtu ironizoi edhe me ministrin e Infrastrukturës, Arban Abrashi.

“Nuk bën që ta harrojmë edhe angazhimin maksimal të minsitrit Abrahsi që gjatë kësaj periudhe kohore me asfaltin me ato 2 centimetra dhe e ka ndihmu shumë punën e institucioneve lokale”, tha ai.

Ai po ashtu premtoi edhe trajtim të barabartë të qytetarëve si dhe transparencë të plotë.

“Mendoj që nesër si kryetar i Podujevës do të jem një kryetar që do të punojnë shumë dhe do ti trajtojë barabartë qytetarët dhe kjo ju ku munguar. Zotohem se do ta bëjë punën me ndershmëri me transparencë në të gjitha fushat në veçanti në paranë publike”, tha më tej Bulliqi.

Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ) dje ka njoftuar se në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar komune në Podujevë, sipas rezultateve preliminare, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpejtim Bulliqi ka fituar 51.64 për qind të votave.