'Shpata e Argjendtë’ – Rifillon ushtrimi i KFOR-it për reagim ndaj situatave emergjente

Forcat e Armatosura të Kosovës dhe institucionet e tjera të sigurisë së bashku me KFOR-in kanë filluar ushtrimin “Shpata e Argjendtë”, e cila fillimisht ishte ndërprerë për shkak të situatës me COVID-19.

Ky ushtrim ka për qëllim të testojë dhe përmirësojë bashkëpunimin e institucioneve të ndryshme në Kosovë, si dhe Organizatave të Sigurisë të Kosovës bashkë me njësitë e KFOR-it në fushën e reagimit emergjent.

Ushtrimi i konceptit është planifikuar në gjysmën e parë të vitit 2021 dhe do të pasohet nga përgatitjet e të gjithë pjesëmarrësve në nivelin taktik në funksion të stërvitjes së planifikuar për në Shtator 2021.

“Ushtrimi ‘Shpata e Argjendtë 2020-2021’ do të përmbyllet me Raportin Përfundimtar të Ushtrimit, i cili do të mbledhë të gjitha përvojat në mënyrë që të përmirësojë procedurat dhe strukturat e secilës organizatë dhe gjithashtu për të përmirësuar Planin për Reagim Kombëtar”, thuhet në komunikatë.