Shpat Aliu shkarkohet nga pozita zëvendëskryetarit të Kuvendit në Preshevë, e zëvendëson Branko Trajkoviq

Shpat Aliu javën tjetër pritet të shkarkohet nga pozita e zëvendëskryetarit të Kuvendit Komunal të Preshevës.

Ulësen e tij në këtë institucion pritet ta zë Branko Trajkoviq, që udhëheq koalicionin e partive serbe, raporton Telegrafi

Vendimi tashmë është nënshkruar nga kryetari i Kuvendit Komunal të Preshevës, Sami Salihu dhe pritet të miratohet në seancën e 11 majit.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, kryetari i Preshvës, Shqiprim Arifi.

“Po, do të shkarkohet javën tjetër”, tha shkurt Arifi.

Për këtë vendim që pritet të merret ka shkruar edhe aktivisti i shoqërisë civile në Preshevë, Valon Arifi, i cili është shprehur i zhgënjyer duke thënë se “nuk e kisha ndërru asnjëherë, jo për shkak të kombësisë që kanë si njëri si tjetri, por për shkak të politikës që ndjekin”.

“Shqiprim Arifi e Sami Salihu zëvendësojnë Shpat Aliun, ish ushtarin e UÇPMB-së, njëherit djalin e axhës së Liburn Aliut, nga pozita e zv.kryetarit të Kuvendit Komunal të Preshevës me drejtuesin e Partisë Përparimtare Serbe (SNS) të Aleksandar Vuçiq, Branko Trajkoviq”.

“Me Shpatin sa herë rrejmë nuk pajtohemi për shumëçka derisa me Brankon nuk pajtohem për asgjë”, ka shkruar Arifi në rrjetin social Facebook.