Shpalosja e krijimtarisë në mërgim, koleksioni i radhës i Javës së Bibliotekës

Ka vazhduar sesioni i dytë i Javës së Bibliotekës, në lidhje me literaturën dhe jetën në diasporë ku u shpalos krijimtaria në mërgim, rastet e emigrimit të shqiptarëve në vendet e tjera.

Java e Bibliotekës me temën “Dokumentimi i kulturës së emigracionit; koleksionet e shtypura dhe digjitale” ka arritur edicionin e 19-të me radhë i cili do të zgjasë deri me 11 shtator.

Hapja e edicionit është bërë dje në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës përcjellur me fjalime dhe nota muzikore të pianos.

Bardh Rugova, kryetar i Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare tregoi që tubime të tilla ndihmojnë në krijimin e lidhjeve e kontakteve të reja për të integruar kulturën tonë në rrjedhat botërore.

“Bibliotekat nuk janë vetëm deponi, arkiv dhe sistemim i dijës njerëzore ndër shekuj, janë edhe simbol i kësaj deponie, java e bibliotekës si manifestim tradicional që kremton këtë koncept sivjet do të diskutojë dokumentimin e kulturës së emigracionit shqiptar” – tha Rugova.

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazir Gajraku shpalosi qëllimin e përzgjedhjes së temës të edicionit për bashkimin e studiuesve në zhvillimin e hulumtimeve shkencore.

“Një qëllim dhe veçori kryesore e kësaj jave është të bashkojmë studiuesit për t’i bërë më të mira e më të pasura bibliotekat nga shkëmbimi dhe rezultati I tyre kërkimor, me rastin tonë t’i profilizojmë politikat e zhvillimit të koleksioneve duke marrë ide dhe sugjerime të vlefshme për dokumentimin e punës për temat e emigracionit shqiptar”- bëri të ditur Gajraku.

Ai tregoi që puna e mërgimtarëve duhet të kujtohet e respektohet kjo arrihet duke ruajtur dhe dokumentuar ato që kanë bërë përmes dijës së shpalosur në letër, ‘fushata kombëtare’ është ideja kryesore e grumbullimit të trashëgimisë së emigracionit, sipas tij nuk është aspak punë rraskapitëse, Gajraku potencoi që ka qindra familje që kanë dokumente që cilat për shkak të mos hulumtimeve po humben e shuhen.

Fjalën e mori edhe Ministri i Rinisë Kulturës dhe Sportit, Hajrulla Çeku po ashtu u shpreh i hapur për bashkëpunim mes bibliotekave dhe studiuesve në dokumentimin dhe ruajtjes e fakteve dhe të dhënave të veprimtarëve shqiptarë kudo që janë, “Librat dhe bibliotekat janë referenca bazë e dokumentimit” – theksoi ministri Çeku.

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Piro Misha vuri theksin tek tema e dokumentimit që i ka mbledhur sot për të ruajtur kujtesën kombëtare e cila është shtysë për bibliotekat tona në rritjen bashkëpunimin dhe ruajten e informaconit të saktë.

“Java e Bibliotekës në Kosovë zhvillohet ne kohë integrimesh të mëdha ku bibliotekat dhe zhvillimet bibliotekare janë duke përfituar dimensione të reja duke pasur zhvillimin e vrullshëm teknologjik”- theksoi ai.

Sipas tij duhet që te ndërmerren hapa në zbatimin e kësaj çështje.

“Është detyrë e jona t’i grumbullojmë, bëjmë të njohura dhe studiojmë, dy ministritë tona të kulturës duhet të marrin një nisëm sepse në radhë parë duhet t’i kemi këto libra është një mundësi e ngurtë sepse koha është e pamëshirshme, pasurimi i formatit kombëtar mbetet detyra kryesore e bibliotekave kombëtare në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë”- u shpreh ministri Misha.

Po ashtu është prezantuar ekspozita: Kujtesa e Kosovës- Dokumentimi i kulturës së emigracionit; Jeta dhe Vepra e Idriz Bashës.