Shpaloset programi i ‘Manifesta 14’, 100 ditët e Prishtinës në qendër të vëmendjes botërore

“Manifesta 14” ka shpallur sot programin konceptual të Bienales Nomade Evropiane, e cila do të mbahet nga 22 korriku deri më 30 tetor 2022 në Prishtinë.

Gjatë konferencës së përbashkët nga Bordi i “Manifestës 14”, ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku edhe kryetarit të Prishtinës Përparim Rama, u shpalosën aktivitetet dhe lista e artistëve pjesëmarrës në këtë aktivitet.

Gjatë konferencës u tha se “Manifesta 14” do ta vendosë Prishtinën në qendër të vëmendjes botërore.

Ndërsa, pritet që 100 mijë vizitorë të vizitojnë kryeqytetin gjatë mbajtjes së kësaj bienaleje.

Hedwig Fijen, drejtoreshë e “Manifesta 14” tha se programi i kësaj bienale do të bazohet në katër shtylla kryesore dhe do të jetë edicion më i veçantë i manifestave të mbajtura deri më tani.

“Programi 100 ditësh i ‘Manifestës’ i titulluar: ‘Si të tregojmë rrëfimin’, bazohet në rrëfimet e  qytetarëve, në nevojë për themelimin hapësirave publike për qytetarët, hapësirat e gjelbra, programet edukative, etj”, ka thënë Fijen.

Ajo shtoi se “Manifesta” po mbahet në një moment të rëndësishëm gjeopolitik për Kosovën.

Kurse, Hajrulla Çeku, ministër i MKRS-së ka thënë se “Manifesta” po e bën 2022-ën vitin më të rëndësishëm kulturor ndërkombëtar në Kosovë.

“‘Manifesta’ nuk është vetëm një ekspozitë, por edhe një rimendim i hapësirës publike, ridefinim i qasjes me monumentet kulturore dhe me gjitha të tjera që do të ndodhin ndërhyrjet gjatë këtij aktiviteti”, tha Çeku.

Çeku tha se rëndësinë e kësaj ngjarje ia shton edhe diversiteti etnik, gjinor e regjional i pjesëmarrësve.

Ndërkaq, Përparim Rama, kryetar i Prishtinës tha se mbajtja e “Manifestës” paraqet një mundësi fantastike për kryeqytetin.

“Parashihet se gjatë mbajtjes ‘Manifestës’ do të kemi 100 mijë vizitorë, fokuesin e mediave më të mëdha botërore, duke e kthyer Prishtinën në qendër të vëmendjes botërore”, tha Rama.

Rama pohoi se “Manifesta 14” do të përfshijë rreth  22 hapësira publike dhe objekt të cilat do të shndërrohen në pika të intervenimi të  artistëve të ftuara.

“Do të ketë e projekte të mëdha të realizuara në bashkëpunim me kompaninë arkitektonike ‘Carlo Ratti Associati’, siç është korridori i gjelbër, rivitalizimi i ish-objektit të Bibliotekës ‘Hivzi Sulejmani’ dhe në Tulltoren e Prishtinës”, tha Rama.

Katër shtyllat qendrore të programit të “Manifesta 14” në Prishtinë do të jenë: Ish-hapësira e Fabrikave të Tullave (Tulltorja); Qendra e re për praktikë rrëfyese në ish- objektin e Bibliotekës ‘Hivzi Sulejmani” dhe një shumësi ndërhyrjesh artistike e urbane në qytet, të cilat kanë qëllim të rimarrjes së hapësirës publike në planin afat gjatë.

Programi i “Manifestës 14” ka bërë bashkë mbi 77 artistë, duke përfshirë 17 kolektive nga 32 shtete, 37 pjesëmarrës nga Kosova dhe 16 nga Ballkani Perëndimor. 48 për qind e programit përfshin veprat e krijuesve kosovarë.

Pjesëmarrësit do t’i paraqesin veprat e tyre në 22 lokacione në gjithë Prishtinën. Nga 40 ndërhyrje artistike e urbane 32 janë vepra të konceptuara posaçërisht për Prishtinën.