Teatri Kombetar

Teatri Kombetar. FOTO- Denis Sllovinja

Shpallet tenderi prej 100 mijë eurove për renovimin e Teatrit Kombëtar

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka hapur tender prej 100 mijë eurove për renovimin e infrastrukturës së Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Sipas njoftimi, tenderi për renovimin e objektit të TKK-së përfshinë ndërhyrjet në sistemin elektrik të objektit, ujësjellësin, përmirësim të rrjetit të kanalizimit, tualeteve dhe pastrimin e hapësirave të objektit (ndërhyrjet preventive).

Shuma e përgjithshme që MKRS-ja ka ndarë për punime që duhet të kryhen në objektin e TKK-së është 100 mijë euro.

Kompanitë e interesuara për këtë tender do të kenë kohë për të aplikuar deri më 28.09.2020.

Shpallja e tenderit për renovimin e infrastrukturës së objektit të TKK-së është mirëpritur nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të këtij teatri, Naser Shatrolli.

Shatrolli ka thënë për Kallxo.com se renovimi do të përmirësojë dukshëm mundësitë për punë në teatër.

“Nëse gjithçka shkon mirë, besoj se deri në fund të tetorit do të mund të nisë renovimi. Punime që pritet të kryhen nuk do të mund të ndikojnë apo pengojnë në ndonjë mënyrë punë apo repertorin e teatrit”, ka thënë Shatrolli.

Nevoja për ndërhyrje në Teatrin Kombëtar janë shfaqur vite më parë. Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi për nevojën për ndërhyrje në infrastrukturën e TKK-së.

 

 

Teatri Kombëtar i Kosovës nis sot sezonin e ri me probleme të vjetra