Ilustrim

Shpallet person non-grata një zyrtar rus i UNMIK-ut në Kosovë

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka bërë të ditur se se me kërkesë të kryeministrit Albin Kurti, sot ka nxjerrë vendimin për shpalljen si person non-grata [i padëshirueshëm] të një zyrtari rus të UNMIK-ut në Kosovë.

Kjo sipas saj është bërë për shkak të veprimtarisë së tij të dëmshme, e cila ka cenuar sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës.

“Njëkohësisht kam njoftuar institucionet ligjzbatuese dhe autoritetet përkatëse për zbatimin e këtij vendimi”, ka shkruar ministrja në Facebook.

Gërvalla ka shtuar se institucionet e Kosovës mbeten të vendosura “në betejën kundër ndikimit malinj të Federatës Ruse dhe përfaqësuesve e satelitëve të saj në rajon, të cilët synojnë të minojnë arritjet e Kosovës dhe të partnerëve tanë, e në radhë të parë të SHBA-ve, NATO-s dhe BE-së”.

“Republika e Kosovës do të vazhdojë të bashkëpunojë edhe më ngushtë me aleatët e saj ndërkombëtarë, e sidomos me ata amerikanë, evropianë dhe me NATO-n, për të penguar çdo përpjekje destabilizuese të Federatës Ruse në rajonin tonë. Përcaktimi dhe rruga e Republikës së Kosovës drejt anëtarësimit në NATO, BE dhe më pas edhe në OKB janë të pakthyeshme”, thuhet në publikimin e saj.

Diplomatja kosovare ka theksuar se i sigurojnë qytetarët e Kosovës se institucionet do të mbeten çdo ditë vigjilente dhe të vendosura në mbrojtje të sigurisë dhe rendit kushtetues të vendit sa herë që të jetë e nevojshme.