Shpallet konkursi për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës

Ministria e Punëve të Brendshme ka shpallur sot konkursin për pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.

Konkursi për Drejtor të Policisë së Kosovës është shpallur sot ndërsa do të jetë i hapur deri më datë 2 dhjetor.

Kualifikimet të cilët kërkohen në bazë të konkursit për këtë pozitë janë diplomë universitare të nostrifikuar, si dhe kandidati të njoh mirë ndonjërën nga gjuhët zyrtare në shkrim dhe lexim, ndërsa njohja e gjuhës angleze është përparësi.

Ndërsa kushtet e veçanta që kërkohen nga ky konkurs janë që kandidati të jetë shtetas i Republikës së Kosovës, të mos ketë qenë i dënuar për ndonjë vepër penale, të mos jetë i ndëshkuar për shkelje të rëndë disiplinore sipas rregullores disiplinore të policisë apo rregullores së institucioneve tjera shtetërore brenda 10 vjetëve të fundit që është ekuivalente me shkeljet që përcaktohen në rregulloren e disiplinë së Policisë së Kosovës, të ketë gradën kolonel, nënkolonel ose major së paku pesë vite, mos të ketë konflikt interesi me detyrën  si parashihen në Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e Funksioneve Publike, secili kandidat për këtë pozitë duhet t’i nënshtrohet verifikimit të sigurisë sipas ligjit të aplikueshëm, dhe kandidatët duhet të ofrojnë një letër interesi lidhur me motivet që e shtynë kandidatin për të konkurruar, si dhe CV-në e tij.

Kandidatët të cilët janë të interesuar që të aplikojnë në këtë pozitë formularët për aplikim mund t’i marrin në recepsion të MPB-së, ose të tërheqin nga web faqja e MPB-së, ku është bërë shpallja e konkursit, në adresën www.mpb-rks.org , dhe t’i dërgojnë në Divizionin e Burimeve Njerëzore, ose nëpërmjet postës elektronike ([email protected]), dhe postës, në adresën: Divizioni i Burimeve Njerëzore, Rr. Luan Haradinaj, Prishtinë, çdo ditë pune nga ora 08:00 deri në orën 16:00.

Ministria e Punëve të Brendshme ka inkurajuar që në këtë pozitë të aplikojnë, gra, burra, dhe të gjitha grupet etnike minoritare në Kosovë.

Në pozitën e U.D. të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës është Samedin Mehmeti, i cili para caktimit në këtë pozitë ishte zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës.

Mehmeti u caktua në këtë pozitë pas shkarkimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj nga ana e Kryeministrit Avdullah Hoti.

KALLXO.com kishte raportuar për emërimin e Mehmetit si U.D. i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës.

Kush është Samedin Mehmeti, u.d. i Drejtorit të Policisë së Kosovës