FOTO: Rruga, " Bastri e Ali Hyseni" në Vushtrri

Shpallet gjendje emergjente në Vushtrri

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri ka shpallur gjendje të emergjencës civile për shkak të rrezikut nga vërshimet nga lumi Silnica.

Reshjet e fundit kanë bërë që lumi Llap e Drenica të rrisin jashtëzakonisht shumë prurjet më lumin Silnica që rrit rrezikun e vërshimeve në qytet dhe fshatrat e Vushtrrisë.

“Kam urdhëruar rritjen e gatishmërisë maksimale të gjitha ekipeve emergjente komunale”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Pikat kritike pritet të jenë vendbanimet përgjatë lumit Silnica, qyteti i Vushtrrisë, Pestova, Prelluzha, Lumi i Madh, Nedakoci.

“Janë kontaktuar kryetarët e fshatrave dhe janë këshilluar banorët afër lumit Silnica që sonte gjatë gjithë natës të kenë kujdes maksimal. Mundësisht të largohen njerëzit dhe makineritë nga ato shtëpi që zakonisht kanë probleme në rast të vërshimeve”, thuhet në njoftimin e Komunës së Vushtrrisë.

Kryetari Tahiri ka njoftuar se palestra në Samadrexhë është caktuar si vend për strehim në rast nevoje. Po ashtu Tahiri ka thënë se edhe objektet tjera si shkollat po bëhen gati për këtë qëllim.

“Janë mobilizuar ekipet në QKMF, Zjarrëfikësit dhe Policia. Kërkojmë bashkëpunim e mirëkuptim të qytetarëve në këtë situatë të emergjencës natyrore”, ka thënë Tahiri.