Shpallet fajtor i pandehuri për aksidentin në të cilin ishte goditur bashkëshorti i këngëtares Shkurte Fejza
Gjykata e Prizrenit më datë 16.09.2024 ka shpallur fajtor të pandehurin Enis Tamnik, i akuzuar se ka goditur me veturë Hajrush Behlulin (bashkëshortin e këngëtares Shkurte Fejza).
Tamnik është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajve, i cili dënim nuk do të ekzekutohet në periudhë verifikimi prej 1 viti.
Aktgjykimin e ka shpallur gjyqtari Gani Kastrati. Ndërsa, prokuror i rastit është Atnor Skoro.
Duhet potencuar se i pandehuri në fjalë e ka pranuar fajësinë.
Ndërsa, për KALLXO.com, mbrojtësi i të pandehurit Enis Tamnik, avokati Blend Gjini, tha se mendon se dënimi ndaj të mbrojturit të tij është joproporcional me peshën e veprës penale të kryer, pasi që i akuzuari ka pranuar fajësinë në tërësi në mënyrë vullnetare, kurse sipas ekspertit të komunikacionit të dy palët, si i akuzuari ashtu edhe pala e dëmtuar, janë fajtorë për aksidentin.
Andaj, lidhur me këto pakënaqësi avokati Blend Gjini deklaroi se sapo ta pranojë vendimin e Gjykatës do ta apelojë në Gjykatë e Apelit.
Në dosjen e Prokurorisë thuhet se i pandehuri Enis Tamnik më 23.02.2024, rreth orës 10:50, në Prizren, duke drejtuar veturën e tij, nga pakujdesia ka vepruar në kundërshtim me rregullat e trafikut rrugor.
Sipas dosjes, i pandehuri në ditën kritike duke drejtuar automjetin e tij nuk e përshtat shpejtësinë e lëvizjes, kushteve dhe rrethanave të rrugës, dhe si pasojë e vozitjes së pakujdesshme, deri sa i dëmtuari Hajrush Behluli ishte duke kaluar rrugën nga ana e djathtë në të majtë, i pandehuri në pjesën e përparme të automjetit të tij e godet të dëmtuarin.
Tutje në aktakuzë përshkruhet se si rezultat i aksidentit, i dëmtuari pëson lëndime të rënda trupore dhe atë ndrydhje të indeve të buta të kokës dhe të regjionit ballor të kokës, gërvishtje lëkurore të regjionit ballor të kokës dhe shuplakës se dorës së djathtë, plagë çarëse të indeve të buta të regjionit muror të anës së majtë të kokës, të regjionit të laprës së veshit të majtë dhe thyerje pa zhvendosje të kockës se mollëzës së majtë të fytyrës.
Kështu, i pandehuri Enis Tamnik pretendohet se me këto veprime ka kryer veprën penale – rrezikim i trafikut publik.