Shpallen fajtorë të akuzuarit për transportimin e armëve nga SHBA-ja në Kosovë

Në Gjykatën e Prishtinës, janë shpallur fajtorë të akuzuarit për krim të organizuar, për transport të armëve nga SHBA-ja në Kosovë.

Të akuzuar në këtë rast janë Miftar Dobraj dhe Artan Kelmendi. Ndërsa Daniell Prendrecaj akuzohet për dhënien e ndihmës për kryerjen e veprës penale.

Po ashtu në këtë rast ishte i përfshirë dhe Albert Veliu, ish-vozitës i Konsullatës së Kosovës në Neë York, i cili u dënua për këto vepra nga një Gjykatë në SHBA.

Në seancën e sotme, Miftar Dobraj u dënua me dënim me gjobë prej 7,000 eurove dhe dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 vjetësh. Artan Kelmendi u dënua me dënim me burgim prej 4 vjet e 8 muaj dhe dënim me gjobë prej 3,000 eurove, kurse për pikën e dytë të aktakuzës dënim me gjobë prej 500 eurove, ndërsa dënimi unik me gjobë i bie 3,500 euro.

Ndërsa Daniell Prendrecaj për veprën penale ndihmë në kryerjen e veprës penale, iu shqiptua dënim me gjobë 3,000 euro dhe dënim me burgim prej 2 vjetësh.

Të tre të akuzuarve do u llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Të njëjtëve iu shqiptua dhe dënimi plotësues për konfiskimin e sendeve, që iu kanë shërbyer për kryerjen e veprave penale.

I akuzuari Miftar Dobraj, pati reagime gjatë shqiptimit të dënimit.

“5 vjet u dënu Alberti në Amerikë, ai ka qenë kryesori, e unë 6 vjet. Qysh ashtu?”, tha Dobraj.

Të njëjtit iu tërhoq vërejtja disa herë, nga trupi gjykues.

Miftar Dobraj, Artan Kelmendi dhe Daniell Prendrecaj po akuzohen nga prokuroria Speciale se duke vepruar si një grup i organizuar në krye me ish-vozitësin e Konsullatës së Kosovës në Neë York, Albert Veliu, kanë kryer veprën penale të trafikimit me armë.

Në muajin prill të vitit 2018 filloi gjykimi ndaj këtyre të akuzuarve, nën akuzën për krim të organizuar për trafikimin e armëve.

Në seancën e parë të 17 prillit 2019, Dren Mulla kishte pranuar fajësinë për veprën penale armëmbajtje pa leje dhe procesi gjyqësor ndaj tij ishte veçuar duke vazhduar me tre të akuzuarit e tjerë.

Gjykata e shkallës së parë me 20 korrik të vitit 2018 kishte shpallur fajtor të akuzuarit për veprat penale trafikim me armë dhe armëmbajtje pa leje.

Gjykata e Prishtinës e kishte dënuar grupin e organizuar me 12 vjet e 8 muaj burgim e 14 mijë euro gjobë, ndërsa individualisht u kishte shqiptuar këto dënime.

Kjo Gjykatë kishte dënuar Miftar Dobrajn me 5.6 vjet burgim dhe 7 mijë euro gjobë.

Artan Kelmendin e dënoi me 5.2 vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë, ndërsa Daniell Prenrecajn e dënoi me 2 vite burgim dhe 3 mijë euro gjobë, e të akuzuarin Dren Mulla e dënoi me 4 mijë euro gjobë.

Po ashtu, Gjykata kishte dhënë dënim plotësues për konfiskimin e antitankut “Zola’’ me projektil 64 mm, 8 pushkëve automatike AK47, një pushkë ajrore, një revole ‘’GLOC’’, një Audi A3, shumën prej 1 mijë e 653 euro si dhe 3 telefona.

Por Gjykata e Apelit e kishte kthyer çështjen në rigjykim për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave procedurale, sipas Apelit Gjykata e shkallës së parë në hyrje të aktgjykimit ka përshkruar kualifikimin ligjor që e ka bërë Gjykata e jo Prokuroria, pastaj dispozitivi i aktgjykimit thuhej se është në kundërshtim me arsyetimin e tij.

Konstatimi i Gjykatës së shkallës së parë u konsiderua se ishte në kundërshtim me provat materiale, dhe se Gjykata e shkallës së parë nuk e ka aprovuar cilësimin juridik të aktakuzës.

Ndërsa për të akuzuarin Dren Mulla, ishte vërtetuar aktgjykimi i shkallës së parë.

Kujtojmë se ky rast është kthyer në rigjykim për të tretën herë nga Gjykata e Apelit, dhe në herën e dytë të rigjykimit të akuzuarit janë dënuar me dënime më të larta.

Më 16 mars 2021 është bërë precizimi i aktakuzës, për të akuzuarin Daniell Prenrecaj, i cili akuzohej për veprën, krim i organizuar dhe me precizimin e bërë ai akuzohet për veprën, ndihmë në kryerjen e veprës penale importi, eksporti, furnizimi, transportimi, këmbimi ose shitja e paautorizuar e armëve.

Dosja e gjykimit ndaj të akuzuarve për transportimin e armëve nga ShBA-ja në Kosovë