Foto: KALLXO.com
Shpallen fajtorë për keqpërdorim detyre, dy të pandehurit dënohen me nga 6 muaj burg, dënimi u zëvendësohet me gjobë nga 3 mijë euro
Në seancën gjyqësore ndaj dy të pandehurve Beqir Berisha dhe Berat Kabashi, sot, më 22.10.2024, në Gjykatën e Prizrenit, kryetarja e trupit gjykues, Raima Elezi, pranoi në tërësi marrëveshjen për pranimin e fajësisë.
Marrëveshja mbi pranimin e fajësisë ishte arritur më 18.10.2024 mes Prokurorisë së Shtetit dhe të akuzuarve.
Kështu, gjyqtarja Raima Elezi mori vendim sipas të cilit të akuzuarit janë fajtorë për veprën penale – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, dhe Gjykata e gjykon të akuzuarin Beqir Berisha me dënim me burg në kohëzgjatje prej gjashtë muajsh, i cili dënim do të zëvendësohet me dënim me gjobë, dhe të akuzuarin Berat Kabashi me dënim me burg në kohëzgjatje prej gjashtë muajsh. Edhe Kabashit dënimi do t’i zëvendësohet me dënim me gjobë.
Fillimisht u potencua se ndaj të pandehurve u shqiptua vetëm dënimi me burgim prej gjashtë muajve, por pas kërkesës së mbrojtësve u caktua që dënimi të zëvendësohet në dënim me gjobë – nga 3 mijë euro secili.
Gjithashtu, në vendim thuhet se ndaj të akuzuarve Beqir Berisha dhe Berat Kabashi u shqiptua dënimi plotësues përkatësisht ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratës publike ose në shërbime publike në kohëzgjatje prej një viti.
Tutje, të akuzuarit u obliguan që secili veç e veç të paguajë në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 150 euro dhe secili veç e veç shumën prej nga 50 euro në emër të Fondit të Kompensimit të Viktimave të Krimit.
Të gjitha këto në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Prokurorja Ervehe Gashi dhe të akuzuarit kanë lidhur marrëveshje për pranimin e fajësisë më 18.10.2024.
Të akuzuarit Berisha dhe Kabashi para gjykatëses Raima Elezi kanë pranuar fajësinë.
Kjo marrëveshje ishte arritur pasi mbrojtja më 15.10.2024 kishte propozuar negocimin e marrëveshjes.
Sipas aktakuzës, të pandehurit Beqir Berisha dhe Berat Kabashi kanë cilësinë e personave zyrtarë.
Sipas Prokurorisë, i pandehuri Beqir Berisha në cilësinë e menaxherit të kontratës për projektin “Ndërtimi dhe renovimi i objekteve sportive dhe kulturore”, ndërsa i pandehuri Berat Kabashi në cilësinë e mbikëqyrësit të projektit të njëjtë.
Gjithnjë sipas aktakuzës, prej datës 22.05.2018 e deri më 22.10.2018, në Suharekë, të akuzuarit i kanë tejkaluar detyrat e tyre zyrtare lidhur me këtë projekt.
“Gjatë kësaj kohe në kundërshtim me rregullat dhe udhëzuesit operativ të Prokurimit Publik, pa miratimin e kryetarit të Komunës së Suharekës, i pandehuri Berat Kabashi, ndryshon, ndërsa i pandehuri Beqir Berisha, i aprovon paramasat dhe parallogaritë gjatë ekzekutimit të punimeve” – thuhet në aktakuzë.
Tutje, në aktakuzë thuhet se të akuzuarit – poligonet sportive në fshatin Peqan, Sllapuzhan dhe Buzhalë, në vend të rrethojave të poligoneve sportive me profil metalik të plastifikuar ndryshojnë paramasat në rrethoja – profile metalike të zinkuara, në poligonin sportiv në fshatin Buzhalë, ndryshojnë paramasën dhe parallogarinë, ashtu që në vend të shtrimit të fushës sportive me beton, bëjnë shtrimin e fushës sportive me barë natyror.
Në aktakuzë përshkruhet se me këto veprime Komunës së Suharekës i shkaktojnë dëm të material në shumë prej 6 mijë e 839 euro, ndërsa operatorit ekonomik me seli në Prishtinë, i mundësojnë përfitim të dobisë materiale në shumë prej 6 mijë e 839 euro.
Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast i gjeni në këtë LINK.