Shpallen fajtorë 9 të akuzuarit për krim të organizuar e narkotrafik

Është shpallur aktgjykimi ndaj 9 të akuzuarve, për krim të organizuar për trafikun e narkotikëve. Në shpalljen e sotme, i akuzuari Xhevahir Suma është dënuar me 8 vjet burgim dhe dënim me gjobë prej 3,500 euro, Burim Sejdiut i është shqiptuar dënimi unik prej 8 vjet e 6 muaj burgim dhe dënimi me gjobë prej 4,500 eurove dhe i njëjti është obliguar që për veprën penale shmangie nga tatimi, t’ia kompensojë buxhetit të Republikës së Kosovës rreth 6,000 euro.

Adem Nezaj është dënuar me 6 vjet burgim dhe dënim me gjobë prej 2,500 euro. Furkan Bardi është dënuar me 4 vjet burgim dhe dënim me gjobë prej 2,000 euro, ndërsa Gëzim Krasniqi dhe Jasir Bardi janë dënuar me nga 5 vjet burgim dhe dënim për secilin me gjobë prej 3,500 eurove.

Të akuzuarit, Fuat Bardi, Hajrullah Bushi dhe Daut Suma janë dënuar me nga 3 vjet burgim dhe dënim për secilin me gjobë prej 2,000 eurove.

Të gjithë të akuzuarit janë të obliguar, që për shpenzimet procedurale të paguajnë 100 euro dhe në emër të fondit të viktimave të paguajnë shumën prej 50 eurove.

Po ashtu të akuzuarve në dënimet e shqiptuara do u llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, përveç për të akuzuarin Adem Nezaj për çështjen e paraburgimit nuk është vendosur në këtë aktgjykim, pasi atij paraburgimi i është caktuar në një çështje tjetër penale.

Gjykata gjithashtu të njëjtëve u shqiptoi dënim plotësues, për marrjen e sendeve me të cilat është kryer vepra penale, siç është sasia e narkotikëve dhe automjetet e përdorura, të sekuestruara dhe konfiskuara përkohësisht, të cilat do u konfiskohen dhe do të administrohen nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Konfiskuar.

Gjithashtu Gjykata ka urdhëruar që sasia e narkotikëve të shkatërrohet.

Në këtë rast, të akuzuarit Adem Nezaj, Xhevahir Suma, Burim Sejdiu, Gëzim Krasniqi, Jasir Bardi, Fuat Bardi, Furkan Bardi, Hajrullah Bushi dhe Daut Suma, akuzohen se nga 3 tetori 2018 deri më 9 shkurt 2019, duke vepruar si grup i organizuar kriminal, sipas detyrave të ndara kanë sjellë drogën nga Republika e Shqipërisë për ta shitur në Kosovë.

Të akuzuarit e tjerë Jasir Bardi, Fuat Bardi, Furkan Bardi, Hajrullah Bushi, Daut Suma, sipas aktakuzës, kanë pasur detyrë të transportojnë të paktën 4 herë me vetura drogën nga territori i Kosovës për në Maqedoninë e Veriut.

Ndërsa të akuzuarit Burim Sejdiu dhe Qerson Islami, akuzoheshin nga Prokuroria edhe për veprën penale shmangie nga tatimi.

Sipas aktakuzës, udhëheqës i grupit ishte i akuzuari Xhevahir Suma ndërsa drogën nga Shqipëria në Kosovë pretendohet se e ka sjellë Adem Nezaj.

Ndërsa i akuzuari Burim Sejdiu, sipas Prokurorisë, kishte për detyrë që drogën e sjellë nga Shqipëria ta sistemonte në shtëpinë e tij në Ferizaj, ndërsa i akuzuari tjetër Zylbehar Krasniqi kishte për detyrë që drogën ta sistemojë në shtëpinë e tij në Han të Elezit, ndërsa Gëzim Krasniqi drogën ta sistemonte në mobilierinë “Niti” në fshatin Softaj.

Aktakuza thotë se i akuzuari Burim Sejdiu, duke qenë person i autorizuar i kompanisë “Burimi Trade” nga viti 2014 deri në vitin 2018, nuk i ka dokumentuar shitjet në përputhje me ligjin dhe më këtë i është shmangur pagimit të tatimit në shumë prej 5,945 eurove.

Në këtë rast akuzohej dhe Qerson Islami, se duke qenë pronar i “IQ Global”, për periudhën kohore nga viti 2014 deri në vitin 2018, ka prezantuar të hyra më të vogla se transaksionet bankare të realizuar e me këtë është shmangur nga pagimi i tatimit në shumë prej 4,783 eurove.

Ndaj Qershon Islamit, Gjykata kishte veçuar procedurën pas pranimit të fajësisë. I njëjti është dënuar me 1 vit burgim me kusht dhe dënim me gjobë në vlerë prej 1 mijë eurove.