Urim Krasniqi/Kallxo.com

"SHOTA" kërkon heqjen e maseve anti-COVID-19

Shoqata Sindikale e Pavarur e Punëtorëve të ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve, “SHOTA” po kërkon heqjen e masa kufizuese të vëna në fillim të muajit, për parandalimin e përhapjes së pandemisë së Coronavirusit.

Përveç heqjes së masave, sindikalistët e këtij institucioni, kërkojnë edhe vaksinimin e punëtorëve të ansamblit.

Në të kundërtën, sipas kësaj sindikate, trupa artistike e ansamblit do të jetë e detyruar të qëndrojë në shtëpi deri në krijimin e kushteve normale për punë.

Përmes një njoftimi në Facebook, Sindikata e punëtoreve të “SHOTËS”, potencon se është e pamundur zhvillimi i punës në ansambël sipas kushteve të vëna nga qeveria.

“Ne po përpiqemi të bëjmë punë grupore, por kjo po na dëmton në proces të punës kolektive dhe po e varfëron edhe motivimin e punës tek artistët. Andaj kërkohet heqja e masave dhe sigurimi i vaksinave, që të na lejohet të punojmë”, ka thënë kryetari i sindikatës së punëtorëve të ‘Shotës”, Besnik Grajçevci për KALLXO.com.

Në fillimi të këtij muaji, Qeveria mori vendimi për masa shtesë për parandalimin e përhapjes së Coronavirusit.

Këto masa prekën edhe institucionet kulturore.

Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës institucionet kulturore lejohen të punojnë me reduktime, duke shfrytëzuar vetëm 20 % të hapësirës gjatë punës së tyre.

Sipas këtij vendimi institucionet kulturore nuk lejohen të punojnë pas orë 21:00.

“Institucionet vartëse të MKRS dhe komunave (siç janë teatrot, bibliotekat, filarmonisë, galeritë, ansamblet, baleti, kinematë, qendrat rinore, muzetë, qendrat e kulturës me grupe dhe të ngjashme), lejohet të punojnë nga ora 5:00 deri në orën 21:00 duke shfrytëzuar deri në 20% të hapësirës/ sipërfaqeve të objekteve përkatëse për të gjitha aktivitetet (si në shfaqje ashtu edhe në ushtrime)”, thuhet në pikën 34, të vendimit të Qeverisë për parandalimin e përhapjes së Coronavirusit.

Foto: Facebook/SHSPP ‘SHOTA’