Foto: FFK

Shosholli: Kombëtaren e Kosovës mund ta drejtoj edhe një trajner vendor

Kosova që dy ditë ka mbetur pa selektor për arsye se të mërkurën Federata e Futbollit të Kosovës shkarkoi nga pozita Bernard Challandes.

Ai u shkarkua pas dy rezultateve të dobëta në ndeshjet kundër Suedisë dhe Gjeorgjisë.

Dy trajnerët e njohur kosovar, Ajet Shoshollin dhe Gani Sejdiun, kanë folur për KALLXO.com duke dhënë mendimin e tyre se kush duhet të jetë në postin e trajnerit të kombëtares së Kosovës.

Shosholli ka thënë se Kosovës i duhet një trajner që ka objektiva të qarta.

‘’Pikë së pari FFK-je është ajo që do të përcaktohet për njeriun e duhur. Por ai që merr detyrën, duhet të ketë ambiciet dhe objektivat e qarta për të ardhmen e reprezentacionit të Kosovës. E ato objektiva, mendoj që duhet të jenë për një cikël katër vjeçar, apo një cikël olimpik, dhe duhet të kërkohet kualifikimi në njërin prej evenimenteve, si evropiani apo botërori i ardhshëm’’, ka thënë Shosholli.

Sa i përket asaj se nëse Kosova përcaktohet për një trajner shqiptar, Ajet Shosholli ka përmendur dy emra.

‘’Nëse përcaktohemi për ndonjë trajner shqiptarë, atëherë i kemi trajnerët si Ardian Kozniku e Besnik Hasi që punojnë jashtë vendit, por nuk e përjashtoj mundësinë edhe të shqyrtimit të mundësisë për ndonjë trajner vendor’’, thotë Shosholli.

Ai po ashtu është shprehur i lumtur që ka qenë trajneri i parë i Kosovës në kohët më të vështira.

‘’Jam krenar që kam qenë seleksionuesi i parë i kombëtares së Kosovës në kohërat më të vështira (1991-1996) dhe me (1999-2001)’’, thotë Shosholli.

Edhe trajneri tjetër kosovar Gani Sejdiu ka thënë për KALLXO.com se Kosovës i nevojitet një trajner që e njeh mentalitetin e futbollistëve të reprezentacionit por edhe atë qytetar.

‘’Duhet të jetë dikush që e njeh mentalitetin tonë, sepse një prej defekteve dhe problemeve tona është edhe mentaliteti, por edhe dikush që ka autoritet e që ka besim të palëkundur në aftësitë e tij si teknike po ashtu edhe menaxheriale’’, thotë Sejdiu.

Ndryshe nga Shosholli, trajneri Sejdiu mendon se Kosovës i duhet një trajner i huaj dhe jo një shqiptar.

‘’Opinioni kosovar ende nuk është i gatshëm të ketë besim tek trajnerët tanë, edhe për shkak të mentalitetit të krijuar inferior ndaj të tjerëve e që është një qasje e gabuar, por ne të gjithë duhet pranuar mendimin e opinionit, prandaj duhet trajner i huaj për kombëtaren tonë”, ka thënë Sejdiu.

Ai thotë që problemi i ndeshjeve me rezultat negativ nuk qëndron vetëm te trajneri por edhe te lojtarët.

‘’Problemi i kombëtares nuk është vetëm te trajneri, por edhe te faktorët tjerë përreth dhe po ashtu te lojtarët të cilët duhet të jenë më të përgjegjshëm, sa i përket kombëtares, por edhe kjo përgjegjësi të jetë në vazhdimësi dhe jo me periudha të caktuara’’, ka shtuar Sejdiu.

Por cila do të ishte përgjigja e Sejdiut, nëse i ofrohet mundësia me udhëheq kombëtaren”.

‘’Ende nuk është krijuar ambienti i besueshëm për ne‘’, thotë Sejdiu.

Gjatë ditës së djeshme edhe vetë kryetari i Federatës së Futbolli të Kosovës për KALLXO.com ka thënë që ende nuk ka ndonjë opsion për postin e trajnerit.