Shoqërohet në polici mësuesja e historisë në shkollën 'Emin Duraku' në Prishtinë

Mësuesja e historisë në shkollën fillore “Emin Duraku”,në Prishtinë, Afërdita Misimi. është shoqëruar para rreth dy orëve në polici.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com zëdhënësi i policisë në rajonin e Prishtinës, Bajram Krasniqi.

Ai ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur sot rreth orës 11:00.

“Rreth orës 11:00, policia është njoftuar për një rast ,,Kanosje”. E dyshuar e rastit është  një femër. Policia është duke e intervistuar të dyshuarën për këtë rast”, ka thënë Krasniqi.

KALLXO.com ka raportuar se  Këshilli i Prindërve të Shkollës Fillore “Emin Duraku” në Prishtinë kanë bllokuar hyrjen e kësaj shkolle, duke kundërshtuar kthimin në punë të mësimdhënëses së Historisë, Afërdita Misimi.

Zijavere Krasniqi, kryetare e Këshillit Drejtues të kësaj shkolle kishte thënë  se kjo është bërë për shkak se mësimdhënësja Misimi po abuzon me fëmijët e tyre dhe po i kërcënon.

Në anën tjetër, mësuesja e Historisë, Afërdita Misimi, ka mohuar se ka keqtrajtuar nxënësit e saj.

“Nuk jam ajo që përdori dhunë ndaj tyre. Unë jam mësimdhënëse jo e vështirë, por principiele dhe do të të vazhdoj të punoj këtu në këtë shkollë sepse fëmijët i kam prapa”, ka thënë ajo për KALLXO.com.

Misimi ka shtuar se vendin e punës e ka fituar me vendim të Gjykatës, por se nuk ia ka dorëzuar drejtorit, pasi sipas saj duhet vetë Gjykata ta njoftojë atë.

Prindërit e nxënësve të shkollës ‘Emin Duraku’ s’e duan mësuesen e Historisë