Shoqërimi në Polici e më pas lirimi i dy politikanëve serbë, për çfarë protestuan qytetarë të komunitetit serb?

Një numër i qytetarëve të komunitetit serb u mblodhën sot, më 08.08.2024, para stacionit policor në Mitrovicë të Veriut, ku protestuan pas arrestimit nga Policia e Kosovës të dy politikanëve serbë, të cilët më pas u liruan.

Policia e Kosovës tha se dy politikanët serbë të Kosovës, Aleksandar Arsenijeviq dhe Stefan Velkoviq, u shoqëruan në stacion policor, u intervistuan e më pas u liruan.

Shoqërimi sipas Policisë ishte bërë pasi ata dyshohet se kanë penguar punëtorët që ishin kontraktuar për të pastruar grafitet me mbishkrime nacionaliste afër urës në Mitrovicë të Veriut.

Para mediave, Ivan Orloviq nga “Demokracia Serbe” bashkë me protestuesit e tjerë shprehën ankesat e tyre.

“I kemi vënë re disa persona duke ngjyrosur mbi flamurin serb, i cili ka qenë i vizatuar aty poshtë, në murin pranë urës që gjendet afër sheshit ‘Vëllezërit Milliq’. Jemi afruar për t’i pyetur këta persona se pse janë duke e bërë këtë, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Pas kësaj, kemi biseduar me policët të cilët kanë qëndruar pak më tutje nga ana tjetër e rrugës. Policët kanë refuzuar të komunikojnë dhe nuk kanë dashur të përgjigjen në pyetjet tona. Pas kësaj, jemi kthyer përsëri në vendin e ngjarjes dhe i kemi pyetur përsëri se pse janë duke e bërë këtë veprim, pasi sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, flamuri serb është legal” – tha Orloviq.

Tutje ai shtoi se flamuri, sipas tij, është flamur kombëtar dhe nuk ka asnjë shenjë tjetër përveç ngjyrave. Ai tha se personat prezentë u pyetën se pse janë duke ngjyrosur sipër flamurit e pse, sipas tij, u pengon flamuri.

“Përsëri nuk kemi marrë asnjë përgjigje. E vetmja gjë që kemi vënë re është që nga një lokal pranë ka dalë një grup civilësh – njerëz që kanë qenë duke qëndruar në lokal. Përnjëherë i janë drejtuar Stefanit dhe e kanë arrestuar duke përdorur forcë brutale” – pretendoi Orloviq.

I njëjti tha se asnjë nga këta civilë nuk ka thënë që janë policë civilë ose ndonjë gjë tjetër dhe se më vonë e kanë kuptuar se ata kanë qenë policë civilë.  E sipas tij policët nuk janë sjellë në mënyrë profesionale.

Orloviq u pyet se kush e ka organizuar protestën. Sipas tij, populli është mbledhur me vullnet të lirë.

“Kjo nuk është hera e parë që Aca dhe Stefani sulmohen. Kemi pasur shumë raste dhe shembuj që mund t’i shihni në Facebook. Madje ekzistojnë edhe raportimet në Inspektoratin e Kosovës ku kemi paraqitur ankesa mbi problemet me të cilat jemi ballafaquar pikërisht me Policinë e Kosovës. E kemi rastin kur para stacionit policor në Zveçan, një polic kosovar e ka goditur Arsenijeviqin. Pa ndonjë arsyeje, thjesht i është afruar dhe e ka goditur me grusht në vendin i cili nuk mbulohet nga kamera dhe sot e kësaj dite nuk dimë asgjë në lidhje me këtë rast. Ne jemi të frikësuar dhe të brengosur nga kjo situatë” – theksoi tutje ai.

Po ashtu, Orloviq u deklarua lidhur me idenë e hapjes së urës duke thënë se mendon që tani nuk është momenti i duhur për hapjen e kësaj ure.

“Po ua kujtoj se aty janë shënuar mbi 1,000 incidente, ku në më shumë se 126 raste ka pasur të lënduar, madje edhe të vdekur. Ura është funksionale. Këmbësorët mund ta përdorin. Ne jemi të brengosur që nëse lëviz KFOR-i dhe karabinierët nga aty, cili do të jetë reagimi i anës së kundërt, respektivisht nga jugu” – tha ai para mediave.

“Para ca vitesh kemi qenë dëshmitarë kur një grup i tifozëve… prapë po e theksoj që ne nuk kemi problem me shqiptarët, sepse ne me shqiptarët jetojmë mirë, kemi marrëdhënie korrekte, por problemin më të madh e paraqesin ato parulla nacionaliste që dërgohen nga Prishtina, që Qeveria në Prishtinë i dërgon popullit. Andaj mjaftojnë vetëm disa persona që të krijojnë ndonjë problem dhe një katastrofë” – vazhdoi i njëjti.

Qeveria e Kosovës njoftoi gjatë muajit të kaluar se synon të hapë urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë për trafik.

E ditëve të fundit janë shtuar angazhimet drejt këtij synimi.

Të mërkurën, qytetarë serbë kanë protestuar kundër hapjes së urës.

Kurse sot, më 08.08.2024 në Komunën e Mitrovicës së Veriut është mbajtur një mbledhje me qytetarë, gjatë të cilës institucionet e Kosovës janë përpjekur të bindin qytetarët se hapja e urës nuk është kundër askujt por vetëm për të mirën e qytetarëve.

Ditëve të kaluara, SHBA, Bashkimi Europian e KFOR-i kanë kërkuar që çështja e hapjes së urës të negociohet në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, i lehtësuar nga BE.