Shoqëria e avokatëve "Sejdiu&Qerkini": ZPS në Hagë ndërpret hetimet ndaj ish-komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi

Gjatë ditës së sotme, më 13.02.2025, Shoqëria e avokatëve “Sejdiu &Qerkini” SHPK ka njoftuar se janë ndërprerë hetimet nga ZPS në Hagë, ndaj ish-komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi.

Këtë e kanë bërë të ditur Shoqëria e avokatëve “Sejdiu &Qerkini” SHPK – sipas një njoftimi në rrjetin social Facebook.

Gjykata Speciale në Hagë nuk ka publikuar ende asnjë informatë, lidhur me ndërprerjen e hetimeve ndaj Sylejman Selimit.

Njoftimi i plotë

Me krenari ju njoftojmë se klienti ynë, Gjenerali Sylejman Selimi triumfon në Hagë. ZPS ndërpret hetimet ndaj tij!

Ky rezultat është një fakt shtesë mbi pastërtinë e luftës së UÇK-së dhe njëherit fryt i përfaqësimit të shkëlqyer, strategjisë së menduar thellë dhe mbrojtjes së palëkundur nga avokati Artan Qerkini, nga avokatura Sejdiu & Qerkini.

Drejtësia mund të vonojë, por kur mbrohet me përkushtim, ajo fiton!

Gjeneral, ne ju falenderojmë për besimin tuaj ndaj nesh!

Ndryshe, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të akuzuar për “krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”, në Dhomat e Specializuara në Hagë, gjatë ditës së sotme, më 13.02.2025, ka dhënë dëshminë ish-komandanti i Shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi.

Dëshmitari Sylejman Selimi tha se edhe gjatë kohës kur ka qenë Komandant i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së ka marrë pjesë në luftime.

“Unë kam pasë mundësi dhe sa herë ka pasë luftime, edhe unë kam marrë pjesë në luftime.” – tha dëshmitari Sylejman Selimi.

Dëshmitari Selimi tha se Shtabi i Përgjithshëm gjatë kohës së luftës ka qenë inekzistent.

“Termi si Shtab i Përgjishëm është shumë term i madh dhe si term në shikim të parë mendohet që është një Shtab ku shumë njerëz punojnë në atë Shtab dhe në një objekt që është me plot me Salla operative. Në një kohë lufte ose në këtë periudhë, unë u mundova t’ia sqarojë edhe gjyqtarit, që ne po flasim për një Shtab thuaja gati inekzistent, një Shtab më shumë politik ose një pjesë logjistike, sesa një Shtab operacional me anëtarë të cilët janë të përhershëm, ose me anëtarë që e kanë një adresë, ose me një Shtab që e ka një strukturë, një Sallë operative dhe disa oficerë që e menaxhojnë situatën në luftë.” – tha dëshmitari Selimi.

Tutje, Selimi tha se Shtabi i Përgjithshëm nuk ka qenë asnjëherë i organizuar në një nivel të tillë.

“Ne, fatkqësisht, këtë nuk e kemi pasë dhe s’e kam pa asnjëherë të organizuar në një nivel të tillë dhe kjo ka bërë që shumë Komadantë të zonave në terren t’i marrin vendimet vetë.”

Dëshmitari Sylejman Selimi tha se asnjëherë anëtarët e Shtabit nuk i kanë parë.

“Asnjëherë s’e ke ditë ku janë anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm, për arsye të ndryshme. Ose i ke pasë jashtë shtetit, edhe atëherë kur jam mundu m’i taku, shumë zor ka qenë t’i takosh.” – tha dëshmitari Selimi

Tutje, Selimi gjatë dëshmisë së tij tha se lidhshmëria e Shtabit të Përgjithshëm gjatë luftës dhe zonave ka qenë pengesë.

“Dhe, lidhshmëria e Shtabit të Përgjithshëm gjatë luftës dhe zonave, kjo gjithmonë ka qenë pengesë dhe është dashtë që një Komandant zone t’i marrë veprimet vetë dhe t’i organizojë e t’i udhëzojë, ose edhe të marrë pjesë vetë direkt në luftime dhe të interesohet: edhe për ushtarët, edhe për pjesën civile, e cila ka qenë në atë kohë në periudhën e luftës.” – tha dëshmitari Selimi gjatë dëshmisë së tij.

Në këtë rast, çështja po drejtohet nga gjyqtarët: Charls Smith III (kryesues), Christoph Barthe, Guénawl Mettraux dhe Fergal Gaynor.

Aktakuza fillestare kundër katër ish-eprorëve të UÇK-së u konfirmua më 26.10.2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27.02.2023.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza, për “krime kundër njerëzimit”: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Sipas Aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999, në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe në Cahan të Shqipërisë.

Gjykimi filloi më 03.04.2023, me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave – ndjekur nga ekipet e mbrojtjes, më 4 e 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

Ndërkaq, Prokuroria ka propozuar në këtë rast mbi 300 dëshmitarë.

Raportimet e tjera të KALLXO.com, lidhur me këtë rast, mund t’i lexoni në këtë: LINK.