Shoqëria civile reagon ndaj mjekut që 'arsyetoi dhunimin'

Një grup i organizatave joqeveritare kanë reaguar ndaj deklaratave të doktorit Nazim Qehaja se dhunuesit e femrave provokative duhet të mos dënohen me ligj.

“Duke u thirrur në “profesionalizmin” e tij prej mjeku, profesion ky që në parim ka trajtimin e barabartë dhe me dinjitet të të gjithëve pa dallim, Dr. Qehaja tha se “…jo vetëm në aspektin human, por edhe profesional, psikomjekësor, dhunuesit e femrave të këtilla, publikisht, skajshëm provokative, nuk duhet të përgjigjen para ligjit”, tutje, për ta arsyetuar këtë deklaratë, disa ditë më vonë ai shtoi se “…për komentimin tim profesional, duke trajtuar si objekt të mundshëm të dhunimit nga persona me çrregullime mentale, sepse vetëm këta dhunojnë, në veçanti kur janë të provokuar” Kështu ai minimizoi problemin e dhunimeve seksuale, duke përgënjeshtruar se vetëm personat me “çrregullime mentale” dhunojnë.” thuhet në reagim.

Sipas tyre edhe pas reagimeve të aktivistëve, i njejti u shpreh se një komb është në rrezik “Kur për moralin flasin laviret, kurvarët, homoseksualët dhe të tjerët me çrregullime të ngjashme psikosomatike!”.

“Përmes kësaj letre, ne të poshtë shënuarit rikujtojmë Dr. Qehajën se në qoftë se dhunimi seksual do të ishte specifikë e personave me çregullime mendore, atëherë shteti ynë përmes ligjeve që janë të harmonizuara me ligjet e vendeve të zhvilluara demokratike, nuk do ta përkufizonte dhunimin seksual si vepër penale, të dënueshme me 2-10 vjet burgim, por si çrregullim të shëndetit mendor. Andaj, ky qëndrim dhe kjo bindje e tij është e pabazë dhe për më tepër e kundërligjshme” thuhet në reagim.

Më tutje thuhet se thirrja dhe arsyetimi i veprave të tilla kriminale, duke fajësuar veshjen “provokative”, është nxitje publike e urrejtjes, vepër kjo e cila sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet.

“Ne poashtu i rikujtojmë Dr. Qehajës, i cili pos të tjerash bëri edhe deklaratë skandaloze me përmbajtje jashtëzakonisht homofobike, se komuniteti i profesionistëve mjekësor ndërkombëtar që nga viti 1990, përmes Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka vërtetuar se homoseksualiteti nuk karakterizohet si sëmundje, aq më pak si sëmundje psikosomatike siç e ka definuar ai” vazhdon komunikata.

Në reagim thuhet se Kushtetuta e Republikës së Kosovës garanton liri dhe siguri për çdo qytetar, pa marrë parasysh gjininë, identitetin gjinor, orientimin seksual, kombin, racën ose fenë. Në bazë të ligjit, çdo person që përhap urrejtje dhe përçarje, duhet të marrë dënimin e merituar. Andaj, kërkojmë gjithashtu nga Prokuroria e Shtetit që urgjentisht të marrin masa ndaj Dr. Qehajës.

Nënshkruar nga:

Dokufest
Fondacioni Lumbardhi
KCSF
CHëB Kosova
Fondi për Zhvillim Komunitar –CDF
Integra
KIPRED
Kosovar Youth Council – KYC
Equal Rights for All Coalition
Youth Initiative for Human Rights – Kosovo (YIHR KS)
ORCA Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim
Organizata KONSUMATORI
Cel Kosovo

Csgd Kosovo
Artpolis – Art and Community
Advocacy Training and Resource Center – ATRC
European Centre for Minority Issues Kosovo
Clard Kosovo
Qendra Kosovare për Studime Gjinore
Kosova Women’s Network
Syri i Vizionit
Shkëlzen Maliqi
Shoqata E Juristeve Norma
Shoqata numizmatike shqiptare “Demastion” Albanian Numismatic Association “

KALLXO.com ka raportuar se doktori Nazim Qehaja e arsyeton dhunën seksuale ndaj grave/vajzave që vishen në mënyrë provokuese.

Doktori kosovar arsyeton përdhunuesit e grave dhe vajzave ‘provokuese’