Foto: Kallxo.com

Shoqëria civile proteston para MAShT për qendrat mësimore të komuniteteve pakicë

Disa organizatat të shoqërisë civile mbajtën sot iniciativën avokuese për shtyrjen e implementimit të Udhëzimit Administrativ për regjistrimin dhe funksionalizimin e qendrave mësimore, në një protestë para Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë.

Në këtë protestë morën pjesë përfaqësues të organizatave Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve, BSFK, Ballkan Sunflower Kosova, Qendra për Dokumentim dhe Syri i Vizionit.

Muhamet Arifi nga ‘Ballkan Sunflower Kosova’ tha se këto qendra po rrezikojnë të mbyllen si shkak i mungesës së financimit dhe bëri thirrje që qeveria të zbatojë ligjet dhe të mos i lënë në mëshirë të donatorëve.

“OJQ të ndryshme kanë hapur qendra të ndryshme nëpër Kosovë, janë mbi 50 qendra mësimore, me mijëra fëmijë nga komunitete por edhe shqiptarë që përfitojnë nga aktivitetet e këtyre qendrave, e kjo ka ndikuar në ngritjen e vetëdijes tek prindërit dhe fëmijët, dhe raportin shkollë-prindër”, tha Arifi.

Protestuesit thanë se financimi i strukturuar nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë dhe komunat po i rrezikon këto qendra. Disa nga dokumentet janë që janë aprovuar nga institucionet e Kosovës për komunitete janë: strategjia dhe plani i veprimit për përfshirje të komuniteteve në Kosovë, plani strategjik i arsimit të Kosovës, udhëzimi administrativ 2019/2018 për themelimin dhe funksionimin e qendrave mësimore dhe udhëzuesi që nuk është ofruar nga ministria e arsimit. Shumica e financimit vjen nga donatorët, krahasuar me atë minimal nga institucionet e Kosovës me atë që është planifikuar me buxhet.

Foto: Kallxo.com

“Donatorët janë tërhequr për shkak se Kosova krijuar ligje për financim të këtyre qendrave por nuk po i zbaton, prandaj ne po rrezikojmë të mbetemi pa këto qendra”, tha Arifi.

“Parlamenti në fillim të vitit 2019 ka aprovuar 500,000 euro për financim të qendrave, në muajin gusht kuptuam se këto mjete kanë shkuar për investime kapitale, e në Janar të 2020-ës rrezikojmë të mbyllen qendrat mësimore nëse qeveria nuk reagon menjëherë”, shtoi ai.

Amanda Toska nga Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptasve tha se shtyrja e këtij udhëzimi ka shkaktuar pamundësi për regjistrim në qendrat e mësimit shtesë, dhe sa më shpejtë të hapet procesi zyrtar i regjistrimit për ‘qendrat e mësimit shtesë’, si dhe publikimi i subvencioneve financiare.

Foto: Kallxo.com

“Duke qenë se ky udhëzues nuk është shpërndarë brenda datës së afatit të përcaktuar me UA ka shkaktuar një numër të madh sfidash duke filluar nga pamundësia për të regjistruar qendrat e mësimit shtesë, pasi aplikimi i nënshtrohet një thirrjeje bazuar në dispozitat e këtij udhëzuesi”, tha Toska.

“Prandaj, ju ftojmë të gjithë juve që ti bashkoheni kësaj iniciative duke bërë thirrje për MAShT që të nxjerr “Udhëzuesin për Regjistrimin e Qendrave Mësimore për Mësim Shtesë” sa më shpejtë që të jetë e mundur dhe rrjedhimisht të hap procesin zyrtar të regjistrimit për “Qendrat e Mësimit Shtesë”, dhe të publikojë thirrjen për subvencione financiare siç e përcaktohet në buxhetin vjetor të qeverisë së Republikës së Kosovës”, shtoi ajo.

Foto: Kallxo.com