Shoqëria civile në Prizren i kërkojnë përsëri Haskukës shkarkimin e drejtorëve me aktakuzë

Kërkesa e organizatave të shoqërisë civile për shkarkimin e drejtorëve të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare në Komunën e Prizrenit është përsëritur sot.

Organizata “EC Ma Ndryshe” i kanë kujtuar Haskukës që kërkesa e tyre ende nuk është implementuar që nga muaji dhjetor kur Prokuroria ka ngritur aktakuzat.

Kërkesa për shkarkim vjen pas aktakuzave të ngritura me datë 3 dhjetor 2019 ndaj tre drejtorëve komunalë dhe dy personave të tjerë për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Ata kanë kujtuar edhe aktakuzën e ngritur me datën  20 dhjetor 2019 pasi Prokuroria ka akuzuar një drejtor dhe pesë zyrtarëve të tjerë komunalë, gjithashtu për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Organizata përmes komunikatës ka thënë se drejtorët kanë mungesë të vullnetit individual për të dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre.

“EC Ma Ndryshe përsërit kërkesën drejtuar Kryetarit të Komunës së Prizrenit, z.Mytaher Haskuka për ndërmarrjen e veprimeve konkrete në shkarkimin e vartësve të tij”, thuhet në komunikatë.

Organizata i ka kujtuar Hakukës se premtimet e tij në fushatën elektorale ishin për vendosjen e standardeve për rastet e tilla dhe ruajtjen e kredibilitetit institucional.

Kallxo.com ekskluzivisht me datë 3 dhjetor ka raportuar për aktakuzën e ngritur ndaj tre drejtorëve të Komunës  së Prizrenit, të cilët po akuzohen se dhanë pronën komunale në shfrytëzim në mënyrë të kundërligjshme.

Levent Kasëmi (LVV), Drejtor i Shërbimeve Publike, Fejzë Kabashi (LDK), Drejtor i Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Refik Shaqiri (NDS), Drejtor për Kadastër dhe Gjeodezi, vazhdojnë të mbajnë detyrat aktuale ku janë emëruar nga Haskuka në fillim të mandatit.

Pos tre drejtorëve , të akuzuar janë edhe asamblistja  nga Nisma Social Demokrate Ganimete Babuna dhe Ares Shporta, drejtor i Fondacionit “ Lumbardhi”, i cili ka qenë anëtarë i shoqërisë civile në Komision për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale.

Aktakuza ka të bëjë me Tenderin Publik për lokalet që janë pronë e Kuvendit Komunal në Prizren të cilat Komuna e Prizrenit i jep në shfrytëzim me qira.

Organizatat e shoqërisë civile EC Ma Ndryshe, Fondacioni për Trashëgimi Kulturore – Legatum, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), IPSIA, THY dhe X40 kanë dalë me  komunikatë të përbashkët drejtuar kryetarit të Komunës Mytaher Haskuka.

Haskuka aktakuzën ndaj tre drejtorëve po e quan tentativë për bllokim të Komunës që udhëheq duke thënë se kjo aktakuzë po ia pamundëson punën Komunës së Prizrenit.

Në një situatë të ngjashme, Komuna  e Prizrenit ishte edhe në gusht të këtij viti, kur ndaj  drejtorit të dorëhequr të financave Ertan Simitçi ishte ngritur aktakuzë, ndërsa kërkesën për shkarkimin e tij e kishte mbështetur Ambasada Amerikane.

Vetëm pak ditë më vonë kishte ardhur edhe dorëheqja e ish- drejtori Simitçi, ndaj të cilit është duke u zhvilluar procesi gjyqësor.

Gjashtë Organizata të shoqërisë civile kanë kërkuar nga Kryetari i Komunës së Prizrenit shkarkimin e tre drejtorëve komunalë ndaj të cilëve është ngritur aktakuzë për keqpërdorim të pozitës zyrtare.