Ilustrimi- Jeta Dobranja për KALLXO.com

Shoqëria civile kërkon më shumë përkushtim për arritjen e marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi

Platforma e Shoqërisë Civile për Dialogun, në 11 vjetorin e fillimit të dialogut Kosovë-Serbi ka kërkuar më shumë përkushtim për arritjen e marrëveshjes finale në këtë proces.

Sipas tyre, dialogu mbetet alternativa e vetme për zgjidhjen e kontesteve mes dy vendeve që ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe integrimin e tyre evropian.

“Është e domosdoshme që ato sa më shpejtë t’i kthehen tavolinës së bisedimeve me vullnet të plotë politik për të arritur marrëveshjen në fjalë, ndikimi i së cilës nuk do të kufizohej vetëm në normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë, por do të kishte efekt stabilizues dhe rritje të sigurisë në Ballkan, sidomos në rrethanat aktuale pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës”, thuhet në postimin e publikuar në Facebook, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), që e ka nisur iniciativën e platformës, e cila përbëhet prej disa OJQ-ve që merren me dialogun.

Shoqëria civile ka theksuar tutje, se deri më tani janë arritur 35 marrëveshje të ndryshme, por që marrëveshja përfundimtare ka mbetur peng e vullnetit politik.

“Nuk ka dyshim se arritja e kësaj marrëveshje pikë së pari varet nga vullneti politik dhe përkushtimi i të dyja vendeve, si dhe nga angazhimi dhe koordinimi në mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, thuhet tutje në postim.

Platforma e Shoqërisë Civile për Dialogun, poashtu ka theksuar se “elemente të rëndësishme që kanë ndikim madhor në suksesin e këtij procesi negociator mbesin konsensusi i brendshëm politik e shoqëror si dhe transparenca dhe llogaridhënia politike, të cilat nuk janë adresuar si duhet nga qeveritë e Kosovës që nga fillimi i dialogut 11 vite më parë’.

Dialogu Kosovë-Serbi ka filluar që nga viti 2011, palët deri më tani kanë lidhur 35 marrëveshje në kuadër të këtij procesi.

Marrëveshja e fundit e arritur nën ndërmjetësimin e Bashkimi Evropian ka qenë ajo për targat.

Arrihet marrëveshja për targat në mes Kosovës dhe Serbisë