Shoqëria civile kërkon largimin e Ministrit të Arsimit, Ramë Likaj dhe Zëvendësministrit Driton Bardheci

13 organizata të shoqërisë civile në Kosovë kanë kërkuar nga Kryeministri Avdullah Hoti që në krye të Ministrisë së Arsimit të ketë njerëz më integritet dhe jo si Ministri Ramë Likaj dhe Zëvendësministrit Driton Bardheci.

Organizatat nënshkruese kanë vlerësuar se emërimi i Likajt dhe Bardhecit në krye të ministrisë e ka dëmtuar shumë arsimin në Kosovë.

“Emërimi i z. Ramë Likaj në pozitën e ministrit dhe z. Driton Bardheci në pozitën e zëvendësministrit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH) janë vendime të papranueshme për cilindo qytetar të Kosovës që e dëshiron një arsim cilësor, relevant dhe serioz. Kërkojmë nga kryeministri Hoti që t’i largojë nga kabineti i tij këta anëtarë dhe t’i zëvendësojë ata me profile që kanë aftësi dhe integritet për t’i çuar përpara reformat që janë urgjentisht të nevojshme në arsim”, thuhet në reagim.

Sipas tyre Ministri aktual, Ramë Likaj, nuk përfaqëson etikë akademike dhe profesionale për të qenë në krye të institucionit më të lartë të arsimit.

“Ndonëse SCOPUS i ka përjashtuar për plagjiaturë revistat në të cilat z. Likaj ka publikuar punimet e tij shkencore, ky fakt nuk e ka penguar avancimin e tij brenda universitetit publik, ashtu sikurse as emërimin e tij në krye të dikasterit më të lartë të arsimit në Kosovë”, thuhet tutje në reagim.

Ndërsa për emërimin e zëvendësministrit Driton Bardheci, organizatat e shoqërisë civile kanë vlerësuar se ai nuk posedon as kualifikimin e as përvojën për këtë pozitë.

“Ndërsa, z. Bardheci nuk ka asnjë kualifikim apo përvojë adekuate për këtë përgjegjësi. Përveç tjerash, emërimi i tij në këtë pozitë me përgjegjësi ekzekutive paraqet konflikt interesi në raport me organet e universiteteve publike duke qenë se z. Bardheci është ende student i nivelit Bachelor në Universitetin e Prishtinës, mbi të cilin tanimë ka kompetenca ekzekutive”, thuhet tuje në reagim.

Duke përmendur problemet e deritashme të arsimit në Kosovë si dhe sfidat pas pandemisë, shoqëria civile ka thënë se përmirësimi i gjendjes mund të bëhet vetëm nëse ministria udhëhiqet nga persona adekuat.

“Dalja nga hendeku gjithnjë e më i madh në të cilin gjendet arsimi në Kosovë mund të bëhet vetëm me persona me etikë profesionale, ekspertizë dhe ide të qarta për avancimin e cilësisë në sistemin arsimor të Kosovës”, thuhet tutje në reagim.

13 organizatat e shoqërisë civile kanë kërkuar që kryeministri Avdullah Hoti të dëshmojë me vepra se është i përkushtuar për një qeverisje të ndershme dhe kompetente duke:

Vendosur një ministër/re të Arsimit dhe Shkencës me aftësi dhe integritet të duhur për të udhëhequr këtë ministri strategjike për shoqërinë dhe shtetin e Kosovës;

Vendosur zëvendësministër/re të Arsimit dhe Shkencës i/e cili/a përfaqëson një standard të kualitetit dhe përkushtimit për t’i mbështetur fuqishëm reformat në arsim;

Funksionalizuar procesin e vetingut të stafit akademik të universiteteve publike brenda 100 ditëve të para të qeverisë së tij.

Ata po ashtu kanë kërkuar  takim me kryeministrin Hoti për t’i adresuar këto kërkesa në shoqërim të miqve ndërkombëtarë.

“Për shkak të urgjencës së problemit kërkojmë që ky takim të ndodhë deri më 30 qershor 2020”, thuhet në shkresë.

Organizatat nënshkruese janë: Admovere, BIRN Kosova, CPC – Center for Political Courage, D4D – Demokraci për Zhvillim, Education Comes First, ETEA, FIQ – Forumi për Iniciativa Qytetare, KCSF – Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile, KYC – Kosovar Youth Council, ORCA, Sbunker, Teach for Kosova dhe TOKA – Organizata Kosovare për Talent dhe Arsim

“Nëse shohim hapa të shpejtë dhe konkret nga kryeministri drejt kërkesave të lartpërmendura, mbesim të hapur për të diskutuar se si mund t’i ndihmojmë Qeverisë Hoti në punët e mëdha që e presin në arsim. Në të kundërt, të gjithë ne, pa asnjë dyshim, do të vazhdojmë angazhimet tona për një arsim cilësor duke mos përjashtuar asnjë mënyrë dhe mjet që ofron dhe lejon sistemi demokratik”, thuhet në fund të njoftimit.

Më 3 qershor të këtij viti deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar për formimin e qeverisë Hoti. Kjo qeveri është formuar në koalicion me LDK-AAK-NISMA-Lista Serbe dhe ky koalicion, Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë ia ka besuar Ramë Likaj nga AAK.

Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) e ka kundërshtuar propozimin e Likajt si ministër të MAShT-it.

Sipas ORCA-s,  Likaj si profesor në UP është avancuar në mënyrë të dyshimtë.

“Ramë Likaj është i përfshirë në skandalin më të madh të Universitetit të Prishtinës si një nga profesorët e avancuar përmes plagjiaturës dhe mashtrimit akademik i njohur si rasti i Supermenëve të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike”, thuhej në reagimin e ORCA-së.

Ndërsa ditë më parë, emërimi i Driton Bardhecit si numri dy i ministrisë ngriti debat të madhe në Kosovë, kjo për shkak që Bardheci ende është student në nivelin Bachelor programi studimor “Inxhinieria Industriale dhe Menaxhment’.

Vet Bardheci në reagimin e tij ka thënë̈ se arsyeja pse nuk ka diplomuar ende është̈ shkaku i pandemisë̈.

Ai ka theksuar se po studion në dy drejtime në të njëjtën kohë, në Shkenca Politike dhe në Inxhinieri Industriale dhe Menaxhmentit në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike

“Për respekt ndaj opinionit publik, dua të sqaroj që për shkak të pandemisë COVID-19 është krijuar rregullore që kur paraqitet Punimi i Diplomës, të mbrohet pas 3 muajve.”, ka shkruar Bardheci.