Shoqëria civile kërkon kujdes në shkrirjen e ministrive

Shkrirja e ministrive siç është paralajmëruar nga koalicioni i mundshëm qeverisës po shihet si i pa analizuar mirë nga njohës të fushës.

Demokraci Plus në  bashkëpunim me Fondacionin e Kosovës për Shoqëri të hapur (KFOS) diskutuan për pasojat që mund të kemi nga reduktimi i ministrive e posaçërisht i Ministrisë së Integrimeve Evropiane(MIE) në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme(MPB) dhe Ministrisë së Administratës Publike(MAP) në Ministrinë e Punëve të Brendshme(MPB).

Visar Rushiti, Analist i politikave në D+ tha se do të duhet të presim deri të arrihet një marrëveshje mes dy partive LVV-LDK për të kuptuar si e kanë menduar organizmin e këtyre ministrive.

“Duhet si fillim të kemi një marrëveshje finale që të shohim se si do bëhet reduktimi i ministrive nga 21 sa janë aktualisht në 12 siç është premtuar nga partitë LVV dhe LDK dhe meqenëse Ministria e Integrimit Europian do hiqet atëherë ajo do duhet të reduktohet në Ministrinë e Punëve të Jashtme,” tha ai.

Më tej ai shtoi edhe efektet negative që mund të vijnë nga reduktimi i ministrive dhe a është i mundshëm një organizim i tillë.

“Ministria e Integrimit Evropian mund të bëhet pjesë e Ministrisë së Punëve të Jashtme në kuptim organizativ dhe strukturor, por në kuptim funksional ka efekte negative në agjendën për integrime evropiane sepse e bënë atë pjesë të punëve të jashtme kurse agjenda për integrime evropiane në masë të madhe është agjendë e brendshme e reformave,” shtoi Rushiti.

Taulant Kryeziu, përfaqësues i Lëvizjes Vetëvendosje dha disa mendime me mënyrën si duhet vepruar gjatë fuzionit të ministrisë për integrime evropianë në kuadër të asaj për punë të jashtme.

“Është modaliteti i parë siç e ka Serbia dhe deri tash e ka pasur edhe Kosova, posedimi i një Ministrie për integrime Evropiane, modaliteti i dytë është ai i Malit të Zi dhe Shqipërisë që kjo ministri është e bashkuar me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe modaliteti i tretë është ai i Bullgarisë të veprojë në bazë të kryeministrit të vendit,” tha Kryeziu.

Artan Çollaku, Drejtor në departamentin për koordinimin e procesit të Stabilizim-Asociimit, MIE, tha se kjo ministri e krijuar në vitin 2010 ka pasur si qëllim të ketë rolin kryesor në zbatimin e MSA-së dhe gjitha marrëveshjeve kontraktuale me BE-në.

“Kur është krijuar kjo Ministri në vitin 2010, ideja ka qenë që të krijohet një ministri që do ta ketë rolin kryesor për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian që erdhi me procesin e marrëveshjes për stabilizim dhe asociim në prill të vitit 2016, e vlerësimi i suksesit të kësaj marrëveshjeje do të bëhet pas pesë viteve” tha ai

Në bazë të dhënave të nxjerra nga Demokraci Plus Ministria e Integrimit Evropian nuk ka funksione politikëbërëse dhe funksionet e saj më shumë lidhen me mandatin dhe fushëveprimin që ka një agjenci ekzekutive në kuadër të zyrës së Kryeministrit, pra mbulimin e funksioneve të koordinimit qeveritar apo të natyrës horizontale.

Sipas raportit të D+, Ministria  e Administratës Publike sipas funksioneve që ka nuk lidhet aspak me funksionet që ka Ministria e Punëve të Brendshme.

Derisa MAP ka në fushëveprim shërbimin civil, organizimin dhe funksionimin e administratës, MPB ka të lidhur me fushëveprimin e saj rendin dhe sigurinë publike.

“Ruajtja e MAP si ministri mundësohet përmes organizimit të një ministrie tjetër, ministritë më të afërta për bashkim janë Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë”, thuhet në raport.

Sipas tyre, organizimi i ministrive si pasojë e uljes nga 21 në 12 kërkon kohë dhe ekspertizë në mënyrë që të prodhojë efikasitet në funksionim dhe organizim në të mirë të qytetarëve.