Shoqëria civile kërkon drejtësi për dhunimin dhe vrasjen e 11 vjeçarit nga Fushë Kosova, Kujtim Veseli

Sot më 31 gusht është dorëzuar peticioni Drejtësi për Kujtimin, i nënshkruar nga më shumë se 1,300 qytetarë.

Peticioni është iniciativë për kërkimin e drejtësisë për dhunimin seksual dhe vrasjen e 11 vjeçarit nga Fushë Kosova, Kujtim Veseli vitin e kaluar.

Aktivisti i shoqërisë civile Gazmend Qyqalla më datë 28 gusht ka bërë të ditur për padinë ndaj policisë pasi kjo e fundit ua kishte ndaluar mbajtjen e një tubimi paqësor më 31 gusht para objektit të Prokurorisë së Shtetit.

Gazmend Qyqalla, aktivist i shoqërisë civile sot gjatë dorëzimit të peticionit tha se e konsiderojnë të padrejtë vendimin e policisë, të cilët u ka thënë se nuk janë plotësuar kushtet si shkak i pandemisë.

“Në këtë vendim e konsiderojmë të padrejtë, të paligjshëm dhe diskriminues, prandaj kemi parashtruar padi kundër Policisë më 28 gusht në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Arsyetimi i Policisë se nuk janë plotësuar kushtet e sigurisë lidhur me pandeminë janë të pabaza pasi ne kemi pasur si qëllim mbajtjen e distancës prej 2 metrave, dhe sigurim të maskave për protestues,” është shprehur Qyqalla.

Përpos procesit lidhur me fushatën Drejtësi për Kujtimin, ata kanë parashtruar edhe një ankesë ndaj Këshillit Prokurorial të Avokati i Popullit për refuzim të qasjes në dokumente publike.

“Më 1 korrik ne kemi kërkuar nga KPK që të na e sigurojë vendimin e shkallës së parë dhe raportin hetimor për procedurën disiplinore të zhvilluar ndaj Prokurorit Ruhan Salihu, i cii është përgjegjës për shkelje lidhur me rastin e Kujtimit. Refuzimi i qasjes nga KPK është i padrejtë dhe i paligjshme prandaj kemi parashtruar ankesë të Avokati i Popullit,” ka shtuar tutje Qyqalla.

Rina Kika, avokatja në procedurën gjyqësore ndaj S.O, tha se në shqyrtimin fillestar gjyqësor, S.O, e ka pranuar fajin për dhunim seksual por jo edhe për vrasje. Si rrjedhojë mbrojtësi i të akuzuarit ka bërë kërkesë për hedhjen e aktakuzës për vrasje të rëndë e cila është miratuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

“Në shqyrtimin fillestar gjyqësor, S.O, e ka pranuar fajësinë për dhunim seksual por e ka mohuar përgjegjësinë për vrasje të rëndë. Si rrjedhojë mbrojtësi i të akuzuarit ka parashtruar kërkesë për hedhje të aktakuzës sa i përket vrasjes së rëndë e cila padrejtësisht është miratuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për krime të rënda. Pas ankesës së Prokurorisë, Gjykata e Apelit e ka prishur vendimin dhe e ka kthyer prapë akuzën për vrasje të rëndë,” u shpreh Kika.

Kika tutje tha se kanë parashtruar kërkesë për zgjerim të aktakuzës të Prokurorja që ka lëndën e Kujtimit, pasi aktakuza e parashtruar ndaj S.O i përfshin vetëm veprimet e tij kriminale të datës 11 korrik 2019, por jo dhunimin e Kujtimit në janar 2019.

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka caktuar seancën e shqyrtimit gjyqësor për akuzën ndaj S.O për vrasje të rëndë më 9 shtator 2020.