Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Shoqëria Civile i dalin në mbrojtje aktivistes Shpresa Loshaj pas akuzave të Liburn Aliut për shpifje

Organizatat e Shoqërisë Civile në Kosovë i kanë dalë në mbrojtje aktivistes Shpresa Loshaj pas akuzave të Ministrit të Ambientit, Liburn Aliu se kjo e fundit ka shpifur kur ka thënë se procesi i përgatitjes së koncept dokumentit për revitalizimin e Zallit të Rupës po bëhet në mënyre jo transparente dhe pa pjesëmarrjen e publikut.

Akuzat për shpifje Aliu i ka bërë një një konferencë për media me datën 24 nëntor.

“Më 24 nëntor, z. Aliu organizoi konferencë për shtyp me të cilën lansoi fushatë denigruese kundër znj. Loshaj. Duke e shënjestruar atë me emër dhe mbiemër, ai akuzoi znj. Loshaj për shpifje, i kërkoi asaj që të tregojë ‘kujdes’ përpara se të flasë dhe i mbajti ligjëratë në distancë se me cilat kauza do të duhej të merrej ajo. Fushatën dengiruese ndaj saj ministri Aliu e vazhdoi edhe në emisionin “Rubikon” të transmetuar një ditë pas konferencës. Kjo fushatë u vazhdua edhe nga zyrtarë të tjerë të Ministrisë, siç ishte rasti i këshilltarit të ministrit Lulzim Bauman, i cili lansoi akuza të ngjashme përmes komenteve në profilin online të znj. Loshaj”, thuhet në reagimin e OSHC-ve.

Sipas Organziatave të Shoqërisë Civile, deklaratat e ministrit Aliu janë nënçmuese, përbuzëse dhe kërcënuese dhe kanë për qëllim të ulin kredibilitetin e aktivistes Shpresa Loshaj në sytë e publikut, frikësimin e saj si dhe heshtjen e kritikës ndaj Ministrisë për vendimet që merr.

“‘Udhëzimet’ e një Ministri se me çfarë duhet të merret një aktiviste janë ndërhyrje e shtetit në të drejtën e qytetarëve për t’u angazhuar lirshëm në temat që i konsiderojnë me interes të përgjithshëm. Ministri Aliu, është politikan i fuqishëm, njëri ndër njerëzit më të votuar në vend dhe flet nga pozita e tij si drejtues i Ministrisë së Mjedisit. Është shqetësuese që ai shfrytëzon pushtetin e tij dhe resurset e shtetit për të organizuar konferenca shtypi për frikësimin e aktivistëve të shoqërisë civile, me të cilët kishte bashkëpunuar ngushtë përpara se të vinte në pushtet”, thuhet më tej në reagim.

Organizatat dhe aktivistët nënshkrues (sipas rendit alfabetik) janë: Ardian Ndrecaj, Ballkan Green Foundation, Balkan Sunfloëers Kosova, CEL Kosova, Community Building Mitrovica, CSGD, Çohu!, D4D, Debate Center, Demokraci Plus, DokuFest, Ec Ma Ndryshe, Flutura Kusari, Fondacioni Lumbardhi, Forumi për Iniciativa Qytetare, GAIA SCI Kosovo, GLPS, Instituti GAP, Instituti i Kosovës për Drejtësi(IKD), IKS, KCSF, KDI, KFOS, KMDLNj/CDHRF, KRCT, Lëvizja FOL, ODK, OMM “Gjethi” Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), PIPS, Pishtarët, Programi për të Drejtat Civile në Kosovë (CRP/K), Qendra Kosovare për Studime Gjinore, Qytetarë Aktivë, Rina Kika, Rrjeti i Grupit të Grave, Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtinë, Syri i Vizionit, Shoqata e Intelektualeve të Pavarur të Deçanit, YIHR Kosova, YMCA Movement.

Ministri Liburn Aliu reagon pas akuzave të aktivistes Shpresa Loshaj